Ruci: Fitoren e Ramës e panë të gjithë

09/06/2011 22:00

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci ka deklaruar se fitorja e Edi Ramës në Tiranë është më e pastër se kurrë.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ruci ka nënvizuar se këtë fitore e panë dhe dëgjuan edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar.

“Qytetarët dhe ndërkombëtarët, falë punës titanike të medias, e ndoqën numërimin në tiranë si asnjëherë tjetër, e panë me sy dhe e dëgjuan me vesh. Doli që Rama ishte fitues me 10 vota”, ka pohuar Ruci.

“Krimi elektoral” sipas Rucit, ka nisur menjëherë pas përfundimit të numërimit, kur Berisha sipas tij ka përdorur kartën rezervë.

“Njerëzit e kundërshtarit dolën në rrugë dhe rrethuan selinë e PS sepse pretendonin se kishin fituar, por më pas u fikën si fije kashte. Por kryefamiljari i tha në vesh kandidatit të tij se si do të ndryshonte rezultatin. Dhe ky njeri, që edhe pse është plakur nuk e ka ndërruar zakonin, qe i pari që tha se, janë ca vota në disa kuti të tjera, në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me praktikat elektorale 20-vjecare të Shqipërisë”, ka theksuar Ruci.

Numri dy i Partisë Socialiste ka nënvizuar se gjithcka ka qenë e sajuar nga kryeministri, pasi sipas tij rinumërim pati në 117 kuti dhe jo në 2 mijë që ka Tirana, ku edhe aty sipas tij duhet të ishin hedhur fletë të gabuara.

“Tani kemi një vendim të KQZ të kundraligjshëm dhe një tjetër vendim të Kolegjit Zgjedhor që është i paligjshëm. Mekanizmi është se në Tiranë është kryer një krim elektoral duke kapur KQZ-në dhe Kolegjin. Të shohim c’do të bëjë ky institucion ditën e hënë me kërkesën tonë”, ka deklaruar Ruci.

Kryetari i grupit parlamentar socialist ka shtuar më tej se këtë hipotezë e vërteton edhe fakti se, janë 870 fletë votimi më tepër në kutinë e kryetarit sesa numri i zgjedhësve.

Top Channel