Presidenti apel partive: Ruani qetësinë

03/05/2011 15:00

Kur ka mbetur edhe më pak se një javë fushatë elektorale, Presidenti i Republikës përsëriti thirrjet e tij për qetësi. (UPDATE)

Sipas tij, kontributi në radhë të parë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është i partive.

“Janë të papranueshme rastet e dhunës. Dhuna nuk tregon asgjë tjetër, tregon vecse injorancë. Kontributi në rradhë të parë për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është te partitë. Kur politikanë të vecantë shkojnë fusin hundët deri te interesat e sportit, është shumë e rëndësishme sepse futesh në mënyrë të pradrejtë për të prishur rregullin në një veprimtari që i përket qytetarit”, tha presidenti Bamir Topi.

Presidenti vlerësoi se këto zgjedhje janë të një rëndësie të vecantë për të ardhmen europiane të vendit. Ai shprehu keqardhjen për debatet e munguara mes kandidatëve dhe kërkoi qartë njohjen e rezultatit të zgjedhjeve.

“Shohim që ka më shumë protagonizëm të tifozëve, të analistëve dhe të mediave sesa të kandidatëve. Fatkeqësisht kjo periudhë iku pa debat. Forca e argumentit të bën që të fitosh, por edhe po s’fitove, duhet të mendosh se ky është verdikti, duhet ta pranosh”, tha Topi.

Një mesazh të posacëm presidenti pati për intelektualët që kandidojnë për këshillat bashkiakë.

“Kam pasur rastin të evidentoj që futen, kalojnë 4 vite dhe nuk dinë se c’është karta e autonomisë lokale, nuk kuptojnë se sa i rëndësishëm është roli i tyre në pushtetin vendor. Për të parë se pushteti vërtet në letra është i decentralizuar, por në realitet ka shumë probleme”, theksoi presidenti.

Këto deklarime presidenti i Republikës i bëri gjatë një takimi në presidencë me përfaqësues të parlamentit studentor.
 

Top Channel