Kryetari i PS, Edi Rama ka vizituar para pak castesh zonën e Medresesë në kryeqytet, ku ka folur me superlativa për kandidatin e tij në këtë zonë, Sadi Vorbsin.
Duke folur para simpatizantëve të opozitës, Rama ka deklaruar se Vorbsi do të luftojë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
“Kandidatura e Sadi Vorbsit është për mbrojtjen e së drejtës së pronës, por edhe për të treguar qytetarinë për shqiptarët”, ka deklaruar Rama, i cili ka shprehur bindjen e tij për fitore.
“Sic humbi këtu Ramiz Alia do të humbasë edhe kandidati i Saliut më 8 maj”, është shprehur ai.
Lideri i opozitës është shprehur se, Aleanca për të Ardhmen nuk është vetëm PS, por është një front qytetarësh, partish dhe individësh, që sipas tij u ofron qytetarëve alternativën e duhur.
“Aleanca jonë përbëhet nga individë si Sadi Vorbsi, që e kanë kuptuar se është koha për të dhënë më shumë nga vetja dhe për të kuptuar se sa më shumë të jenë ata që ndihen keq në Shqipërinë tonë, aq më keq do të ndihen ata që sot për sot mund të ndihen pak më mirë. Vorbsi është një model të cilin duhet ta kultivojmë”, ka thënë Rama.
Më tej kreu i PS dhe kandidati për bashkinë e Tiranës ka hedhur akuzat e radhës ndaj qeverisë, e cila sipas tij po vjedh Shqipërinë.
“Pasi kanë zaptuar dhe kanë shkatërruar cdo toka të Shqipërisë, vijnë dhe kërkojnë votën e Tiranës. Kjo është një kulturë e mbrapshtë politike”, ka nënvizuar Rama.
Ai ka kritikuar edhe politikat e ekzekutivit, kryesisht me ekonominë, si dhe me “grabitjet” përmes faturave të energjisë, rritjes së TVSH-së për ilacet, etj.
Top Channel