Ujëvara e Viktorias! Mali Everest! Pengesa e madhe koralore! Porti i Rio de Zhaneiros! Agimi polar! Vullkani Parikutin! Kanioni i Madh!

7 janë mrekullitë natyrore dhe 1 është shqiptari që ka qenë në disa prej tyre. Ndër të tjera, ai mban statusin e shqiptarit të parë në Grand Canyon.

“Cdo moment në Grand Canyon është sikur të jesh brenda një kartoline”, shprehet i riu shqiptar që e ka vizituar.

Genti është një nga njerëzit që arriti të shijonte peisazhin piktoresk dhe të eksploronte natyrën e egër në një ekspeditë 17 ditore, plot aventura dhe kuriozitet për një vend që e sheh për herë të parë.

“Arrita që të isha pjesë e kësaj ekspedite pasi një miku im italian, Davide Alemani, bëri aplikimin online dhe si një nga guidat më të kualifikuara arriti të ishte i përzgjedhuri. Ai mund të merrte me vete 16 persona të tjerë dhe ne ishim një grup maksimal dhe i larmishëm. Kur më telefonoi, i lashë të gjitha angazhimet e tjera dhe vendosa të shkoj drejt një ekspeience të re”, shpjegon Genti.

Një grupi kaq ndërkombëtar, por edhe shumë harmonik me njëri-tjetrin nuk do t´i mungonte as eksperienca në manovrimin e situatave dhe as përgjegjësia për të lundruar në rrjedhën e lumit Kolorado. Rastësia, kujdesi apo mirëorganizimi i secilit prej pjesëmarrësve kanë bërë që të mos kishte as probleme shëndetësore, as rënie në ujë dhe as përmbytje të rafteve, gjë që do të rrezikonte ushqimin 1-javor të secilit prej tyre. Një fije e hollë ndante shpirtin aventurier, nga instikti për mbijetesë.

“Pasi kishim udhëtuar përgjatë të gjithë ditës, mbrëmjeve ndalonim në stacionet e përcaktuara dhe pasi kishim rregulluar gjithçka, mblidheshim rreth zjarrit dhe fillonim diskutimet, shkëmbimin e eksperiencave dhe përshtypjeve”, tregon Genti.

Me syrin e një vëzhguesi që pavarësisht se ka mbaruar shkenca politike, prej shumë vitesh vazhdon e vazhdon të kërkojë pambarimisht me “shpirtin e një endacaku të kohëve moderne” atë që nuk është e lehtë të prekësh, por që nuk është as e paprekshme.

Siç thotë edhe Genti, Shqipëria është një vend që ka shumë për të dhënë, si për vetë shqiptarët ashtu edhe për turistët. Ja si na i përshkruan ai bukuritë shqiptare dhe ato ndërkombëtare, kur mes tyre ka vënë të njëjtin gur peshe.

“Nqse do t´i krahasonim nga pikëpamja natyrore, në Shqipëri kemi disa vende si kanioni i Osumit apo Gryka e Devollit kurse përsa i përket pikëpamjes ekologjike, atje gjithçka ruhet me kujdes, madje nuk mund të hedhësh as një bisht cigareje. E vetmja shenjë që e bën të dallueshme që aty ka pasur edhe njerëz të tjerë përpara është tek-tuk ndonjë gjurmë në rërë”, thotë Genti.

Gjatë të gjithë rrugëtimit, asnjëri prej tyre nuk kishte vënë re ndonjë shenjë sigurie nga administruesi i këtij kanioni që është shteti i Arizonës, por ata nuk mohojnë as ekzistencën e një survejimi shumë efikas që në asnjë moment nuk të bënte të dyshoje për asgjë.

Madje as pajisjet elektronike nuk funksiononin. Mungesë valësh telefonike dhe një izolim total nga bota jashtë. Historia e Robinson Kruzo që vazhdon të përsëritet në variante të ndryshme me persona dhe situata të larmishme.

Gjithsesi, Genti dëshiron të rikthehet atje, në Kanionin e Madh me të tjerë miq e me një pjesë të mirë të tyre shqiptarë.

FOTO GALERI
1/3
Aventura e rrallë në Grand Canion

Top Channel