Shpërthimi, ministria ndalon demontimin

28/04/2011 19:45

Një shpërthim aksidental në pikën e demontimit të municioneve të ushtrisë në Pigas të Skraparit ka shkaktuar një të vdekur dhe tre të plagosur.

Viktima dhe të dëmtuarit janë punonjës të reparteve të demontimit. Viktima është Agim Mekollari, oficer i repartit, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi.

Ndërkohë që tre personat e tjerë që mbetën të plagosur u transportuan me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tirane.

Të tre të plagosurit kanë marrë dëmtime të lehta dhe njëri prej tyre e ka lënë shërbimin spitalor vetëm pak minuta pasi ishte paraqitur në spital.

Të plagosurit janë shtetasi Jetmir Demaj 30 vjec, Ilir Kurti 27 vjec dhe Drini Tiko 28 vjec.

Ministria e Mbrojtjes gjatë një njoftimi për shtyp sqaroi se ka filluar të hetojë ngjarjen dhe se pezullon të gjitha demontimet në vend.

“Nga shpërthimi aksidental ka humbur jetën rreshter Agim Mekollari. Ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura nga viti 1982 deri në vitin 1989, si oficer i repartit të xhenios. Prej vitit 2009 ai ka qenë i riaktivizuar. Janë marrë masat për varrimin e të ndjerit dhe përkujdesjes së familjarëve të tij. Ndërkohë, është ndaluar deri në një urdhër të dytë procesi i demontimit”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Një ditë më parë një tjetër incident ndodhi në uzinën ushtarake të Policanit, një 34-vjecare, punonjëse e repartit të demontimit, u plagos rëndë në dorë.

Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli në lidhje me incidentet akuzon se, në demontime po punojnë njerëz te pakualifikuar për interesa elektorale.

Top Channel