Një patentë sot konsiderohet si një vlerë më shumë dhe një kualifikim i mëtejshëm në listën e gjatë të dëshmive në një CV.

Po të shohim me vëmendje makinat në rrugë, do të vëmë re se në xhamin e tyre ndodhet një fletë format A4 ku shkruhet: SHOFERE E RE.

Gea është një nga vajzat tiranase që sapo ka marrë patentën dhe sot ka një makinë të vogël.

“Kam rreth 6 muaj që kam marrë patentën, por nuk mund të them që jam shofere profesioniste. Cdo ditë mëson një gjë të re nga makina. Kam vënë tabelën SHOFERE E RE sepse kur të tjerët e shikojnë atë nuk i bien borive dhe tregohen më të duruar”, shprehet Gea.

Si pedagoge e jashtme anglishteje në disa universitete të vendit, ajo thotë se për një kohë të shkurtër i duhet të lëvizë shpejt. Megjithatë, ekperienca e saj në rrugët e Shqipërisë kufizohet në linjën Tiranë-Durrës.

“Eksperienca fitohet duke ngarë sa më shumë makinën. Kjo është e vetmja mënyrë. Si shofere e re që jam, kam pak probleme me parkimin”, shton Gea.

Deri më tani, Gea nuk ka marrë asnjë gjobë. Kujdesi i saj e ka ruajtur edhe nga aksidentet, që në ditët e sotme janë të shpeshta.

Megjithatë ka nga ata shoferë të cilët mendojnë se tabela SHOFERE E RE nuk ka asnjë funksion dhe nuk njihet zyrtarisht si shenjë imponuese për tu dhënë përparësi atyre që i ngasin këto makina.

Por, ka edhe nga ata shoferë profesionistë që mendojnë se këto tabela vlejnë.

“Me këtë trafik që ka Tirana besoj që është e domosdoshme të vihen këto shkrime sepse shoferët e tjerë që vijnë mbrapa tregohen më të kujdesshëm kur i shikojnë”, thotë një taksist.

Mendimet nuk janë asnjëherë të njëjta po ashtu edhe mënyrat e arsyetimit përsa i përket tabelave me shënimin SHOFERE E RE që përherë e më shpesh shfaqen në xhamat e makinave.

Top Channel