Pikniku, “arratisje” nga rutina e jetës

26/04/2011 19:20

Stina e bukur e pranverës i jep mundësinë më së miri kryeqytetasve të kalojnë një ditë në natyrë larg streseve të përditshme të jetës urbane.

Një nga shumë familjet që gjejmë tek kodrat e liqenit artificial është ajo e Andit dhe Vilmës.

“Është ditë e bukur, ditë me diell prandaj kemi vendosur që bashkë me fëmijët të dalim dhe të kalojmë kohën së bashku”, shprehet Vilma
Qysh prej kohës kur qyteti nisi të quhet qytet, pikniku është shfaqur si tendencë e familjeve që jetojnë në pallatet shumëkatëshe e ku hapësira për argëtim pranë apartamenteve të tyre nuk ekziston. Në këto kushte jeta në komunitet ka bërë që fqinjët të jenë gjithnjë e më të familjarizuar me njëri-tjetrin.

“Në piknik zakonisht bashkohemi disa familje dhe vijmë sepse ka më shumë larmi, por ndonjëherë dal edhe vetëm me familjen time. Zgjedhim vendet ku ka ajër të pastër dhe qetësi”, thotë Andi.

Pavarësisht dëshirës së shumë njerëzve për të kaluar një ditë në natyrë, mundësitë që të ofron Tirana janë të pakta. Mali i Dajtit, ballkoni survejues i kryeqytetit, mbetet i prekshëm vetëm për një pjesë të njerëzve. Për t’u argëtuar në ditët e bukura të stinës së luleve shumë të tjerë zgjedhin mundësinë e vetme qe mbetet, parkun e liqenit artificial.
“Do dëshironim të kishim më shumë mundësi zgjedhje për të kaluar një fundjavë apo një ditë pushimi dhe jo vetëm liqenin”, pranon Andi.

Por si mund të kalohet një ditë pikniku në Tiranë? Elmentë të rëndësishëm të një dite në park janë ushqimi dhe argëtimi. Vilma tregon se nuk e ka të lehtë të zgjedhë se çfarë do të gatuajë për një ditë pikniku. Edhe pse një familje me 4 persona, Vilma thotë me shaka se duhet të plotësojë tekat e të gjithëve.

Të kalosh një ditë në natyrë bashkë me familjen, Vilma e shikon si një gjë shumë të bukur. Ajo tregon edhe arsyet përse zgjedh që një një ditë pushimi ta kalojë në natyrë e jo në ndonjë restorant apo lokal të kryeqytetit.
“Ne na pëlqen shumë natyra, ajri i pastër dhe gjelbërimi. Në restorant apo lokal do rrish ulur gjithë kohën e kjo na duket shumë monotone”, shpjegon Vilma.

Prej pesë vitesh në këtë familje vazhdon tradita e aktiviteteve në natyrë. Andi tregon se si organizohet një ditë pikniku, ky organizim çlodhës dhe argëtues për familjen.
“Zakonisht vendosim se ku do të shkojmë dhe që në darkë fillojmë përgatitjet dhe pastaj në mëngjes nisemi për piknik” tregon Andi.

Në orët e para të drekës kjo familje lë apartamentin në një nga pallatet e shumta të kryqeytetit dhe niset drejt parkut  Ajri i pastër dhe natyra e qetë tek liqeni artificial mbetet vendi më mikpritës për shumë familje të Tiranës që e duan natyrën.

“Ne nisemi rreth orës 11, zakonisht qëndrojmë deri nga pasditja kur fëmijët nisin të lodhen apo edhe kur nis të freskohet koha”, thotë Vilma.
Si për të treguar marrëdhëniet mjaft të mira në komunitetin ku banojnë, Andi dhe Vilma kanë marrë në piknik edhe dy fëmijët e fqinjëve të tyre. Klevi dhe Nina kanë zgjedhur që këtë ditë të bukur pranvere ta kalojnë larg monotonisë qe ofron jeta e përditshme brenda në qytet.

“Unë vij në piknik sepse më pëlqen të luaj futboll ose basketboll”, thotë Klevi.

Klevi tregon se jo pak herë zgjedh të kalojë fundjavën më këtë familje pasi prindërit që punojnë për të mbajtur familjen kanë shumë pak kohë të lirë.

Dikush çlodhet pranë barit nën një hije. Dikush lodron. Larg, qyteti duket i mbështjellë me mjegullën e tij të sëmurë e të zhurmshme prej tymrash, kaosi dhe trafiku.

Pasi kanë qëndruar për disa orë në ajrin e pastër dhe natyrën mjaft çlodhëse të parkut të Tiranës, Vilma dhe Andi marrin fëmijët për t’iu rikthyer jetës së përditshme, duke pritur fundjavën për një tjetër piknik.

Top Channel