Kasetat, Celibashi: Vendimi KQZ-së, i gabuar

23/04/2011 19:45

Ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka kritikuar vendimin e KQZ-së, për të detyruar televizionet që të pranojnë kasetat e gatshme të kandidatëve dhe partive politike në zgjedhjet vendore.

Në një intervistë telefonike, Celibashi thotë se KQZ-ja nuk duhet të tejkalojë kompetencat që jep ligji.

“Mendoj se në çdo rast, çdo akt i KQZ-së, nuk mundet kurrësesi të kalojë ato kufizime që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor në lidhje me kompetencat e KQZ-së. Në rastin konkret KQZ-ja nuk mund të kalojë kompetencat e veta në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Celibashi.

“KQZ duhet që të japë gjykime dhe vlerësime për çështje konkrete të sjelljes së transmetuesve televizivë për më tepër kur fushata ka filluar, nuk e shoh të udhës të miratojë rregulla të cilat vendosin transmetuesit televizivë në një situatë ndryshe nga ajo që ata mendojnë në raport me Kodin Zgjedhor”, theksoi Celibashi.

 

Top Channel