Agolli: Bashkia e nisi punën nga hici

21/04/2011 21:55

Administratori i qytetit në bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli ka deklaruar se nga vitit 2000 deri sot, administrata e pushtetit vendor ka bërë një punë kolosale për kryeqytetin.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Agolli është shprehur se kur ka ardhur në pushtet, administrata e gjeti Tiranën në gjendje të mjeruar.

“Tirana në vitin 2000 nuk ka ekzistuar, ka ekzistuar me funksionet e saj por nuk ishte qytet. Të gjithë i mbajnë mend grupet me plehra, autobusët e vjetër dhe mungesën e hapësirave të gjelbra. Ne e filluam nga hici dhe kemi bërë jashtëzakonisht shumë”, ka deklaruar Agolli, i cili ka paraqitur edhe projektet afatgjata të bashkisë.

“Ne filluam planet dhe strategjitë tona të zhvillimit që kulmuan në vitet 2007-08 dhe ne kemi një plan zhvillimi deri në vitin 2020, që do ta kthejë Tiranën nga një kryeqytet në qendër rajonale. Kemi bërë një gjë shumë të mirë për qytetarët”, ka saktësuar Agolli.

Ai ka sqaruar se fillimisht është hartuar plani urbanistik në vitin 2003, i cili është ndjekur nga plani francez për rregullimin e Tiranës dhe më pas ai zviceran.

“Që prej 2003-shit kemi planin urbanistik, që ishte hapi i parë drejt një pune përtej së përditshmes, përtej pastrimit të rrugëve. Në 2004 u miratua studimi urbanistik, që quhet studimi francez, që parashikonte zonën e këmbësorëve në kryeqytet. Ishte i pari që përcaktonte linjën e tramit, pra ishte një qytet i së ardhmes. Me miratimin e planit francez do fillojë plani rregullues i Tiranës”, ka bërë të ditur Agolli.

“Më pas u bë plani zviceran, ndërsa në 2008 miratuam planin rregullues që do të afronte 400 banorë në kryeqytet dhe do të hapte vende pune. Në 2010 miratuam planin e transportit që tregon se si do të jetë lëvizja e bicikletave dhe këmbësorëve në kryeqytet”, ka shtuar ai.

Top Channel