Ballsh, Berisha: Rruga e Ramës, pa kthim

20/04/2011 20:30

Në prezantimin e Dallëndyshe Allkajt për kryetare të bashkisë së Ballshit, kryeministri Sali Berisha dha mesazhin se koalicioni që ai drejton në këtë fushatë, Aleanca për Qytetarin, është alternativa që punon për të mirën e cdo shqiptari, pavarësisht bindjeve të tij politike.

Investimet për ndërtimin e mbi 8 mijë kilometrave rrugë, rritjen e pagave dhe pensioneve, nxitjen e bizneseve, anëtarësimin e vendit në NATO dhe liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha i përmendi si disa nga arritjet më kryesore të këtyre pesë viteve të fundit.

“Për ne nuk ka dhe nuk ekzistojnë ‘ne’ dhe ‘ata’, apo ‘ju dhe ata’. Për ne ka qytetarë shqiptarë, fëmijë të qytetarëve shqiptarë, familje të qytetarëve shqiptarë, bashki dhe komuna të qytetarëve shqiptarë, me të cilët ne, në katër vitet që vijnë, duhet të ndërtojmë ëndrrat e tyre më të bukura”, deklaroi Berisha.

Kryeministri ftoi shqiptarët që të bashkohen dhe në zgjedhjet e 8 majit të votëbesojnë Aleancën për Qytetarin.

“Nga ky shesh dua t’u bëj thirrje të gjithë mallakastriotëve, të gjithë shqiptarëve, urdhëroni në shtëpinë e qytetarit, aty ka një vend për secilin. Nuk them se e kemi rrugën bulevard me lule. Jo, e kemi prapë me djersë, por e kemi me nder, me dinjitet me suskes, e kemi me shpresë”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, sipas kryeministrit, qëndron alternativa e rrugës së vetmisë, që sic tha ai, pasi bëri gjithcka për të penguar liberalizimin e vizave, po vazhdon të bëjë cdo përpjekje për të bllokuar integrimin europian të vendit.

“Vazhdo zoti Rama, se më datën 9 maj do të arrish tek banesa e vetmisë. Rruga e vetme të con vetëm në banesën e vetmisë dhe ajo është rrugë pa kthim. Ne kemi pëprara një fillim të ri, ti ke përpara një fund të ri dhe plotësisht të merituar. 8 maji është dita e ngadhënjimit të lirive tuaja, të votës suaj. Ne do të fitojmë”, theksoi Berisha.

Top Channel