S&P rishikon vlerësimin për ekonominë USA

19/04/2011 13:40

Standard & Poor’s konfirmon vlerësimin “Trefish A” për Shtetet e Bashkuara, por parashikon për të një të ardhme negative dhe jo të qëndrueshme si më parë.

“Ekonomia amerikane është fleksibël dhe e shumfishtë dhe politikat monetare të vendit kanë mbështetur prodhimin duke përmbajtur presionet inflacioniste”, thuhet në një komunikatë.

“Megjithatë, duke qenë se SHBA kanë një deficit shumë më të gjerë krahasuar me vendet e tjera me vlerësimin “Trefish A” dhe kur rruga për ta reduktuar nuk është e qartë, kemi rishikuar vlerësimin tonë afatgjatë, duke e vlerësuar si “negativ” nga “i qëndrueshëm””, nënvizohet në komunikatë.

Sipas S&P, vlerësimi i të cilës vjen pas vendimit të Kongresit mbi manovrën fiskale, ekziston rreziku efektiv që Shtetet e Bashkuara të mos arrijnë dot një marrëveshje për të zgjidhur sfidat e bilancit afatgjatë dhe afatmesëm brenda vitit 2013.

“Nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nëse nuk arrihet brenda kësaj date një praktikë domethënëse, kjo do ta bënte profilin fiskal të Shteteve të Bashkuara shumë më të dobët se ato të vendeve të tjera që kanë vlerësimin “Trefish A””, ka vlerësuar më tej S&P.

Top Channel