Libi, 10 mijë të vrarë nga regjimi

19/04/2011 13:05

Bilanci i viktimave të shkaktuara nga regjimi gjakatar në Libi është mbi 10 mijë të vdekur dhe mbi 55 mijë të plagosur.

Bilanci i është dhënë ministrit të Jashtëm italian Franco Frattini nga presidenti i Këshillit Tranzitor të Libisë, Mustafa Abdel Jalil, i cili ndodhet në Romë.

Shefi i diplomacisë italiane ka deklaruar se vendi i tij do t’u shpjegojë vendeve të tjera evropiane përse edhe ato duhet ta mbështesin Këshillin Tranzitor të Libisë, “nga i cili do të lindë Libia e re”.

“Nëse mbështetësit e Gaddafi-t do të gjendeshin në rrezik për jetën, ata do të ndihmoheshin ashtu sic do të ndihmohej cdo qytetar libik”, ka deklaruar më tej Frattini.

Ndërsa lideri Jalili, nga ana e tij, ka garantuar se Këshilli do të respektojë të gjitha traktatet ndërkombëtare, duke filluar nga ai i miqësisë italo-libike.

Sipas Frattini-t, respektimi i këtij traktati do të mund të vazhdojë kur kushtet e sigurisë në territorin libik ta bëjnë të mundur një gjë të tillë.

“Prej këtej do të nisë një fazë rindërtimi, rifillimi dhe mbështetjeje për të gjithë Libinë”, ka shtuar ministri i Jashtëm italian.

Top Channel