Indi, protesta kundër centralit atomik

19/04/2011 09:45

Një person ka vdekur pasi policia në perëndim të Indisë është përleshur me banorët që po protestonin kundër ndërtimit të një centrali bërthamor.

Policia tha se agjentët ishin detyruar të hapnin zjarr pasi protestuesit sulmuan një komisariat policie pranë Xhaitapurit, në shtetin e Maharashtrës, ku është planifikuar të ndërtohet centrali.

Ndërtimi i centralit, që do të kushtojë 10 miliardë dollarë dhe që do të jetë më i madhi në botë, pritet të nisë këtë vit.

Propozimi ka shkaktuar protesta masive në të gjithë vendin, sidomos pas tragjedisë së ndodhur në Japoni, pas dëmtimit të centralit të Fukushimës.

Banorët e zonës janë mbledhur pranë vendit ku do të ndërtohet impianti, duke shprehur indinjatën e tyre ndaj planit, i cili sipas tyre do të cënojë traditat peshkatare.

Top Channel