Tritol shtëpisë së kandidatit të PS

18/04/2011 09:05

Një sasi eksplozivi u vendos rreth orës 1 e 50 minuta të mëngjesit të së hënës në derën e apartamentit të kandidatit të Partisë Socialiste për minibashkinë numër shtatë, Erjon Koka.

Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar, ndërsa banorët e pallatit 33, në rrugën Kongresi i Lushnjes, në kryeqytet, janë përfshirë nga paniku.

32-vjecari, që kandidon për herë të parë për kryetar minibashkie, thotë se nuk ka patur konflikt dhe këtë sulm ia faturon garës elektorale.

“Normalisht nuk ka lidhje tjetër sepse unë jam inxhinier ndërtimi, jo një profesion që gjeneron dhunë. Edhe në fushata të tjera nuk kam pasur probleme. Në momentin që dal kandidat më ndodh një gjë e tillë, që nuk është aspak e këndshme”, deklaron Koka.

Ndërkohë, kreu i Partisë Socialiste deklaroi për të dyja incidentet, në Pogradec e Tiranë, se janë shenja dhune të qeverisë, e cila nuhat humbjen. Rama i bëri thirrje policisë që të bëjë punën e saj dhe të mos bëhet palë me pushtetin e dhunës.

“Janë shprehje ekstreme të panikut që ka përfshirë Saliun në vigjiljen e një disfate të paralajmëruar. Frika është e vetmja shpresë e regjimit dhe përmes presioneve kërkohet të pengohen qytetarët të votojnë”, ka deklaruar Rama.

Sulmin ndaj banesës së Kokës e ka dënuar edhe rivali i tij për këtë njësi bashkiake, Krenar Alimehmeti, shtabi elektoral i të cilit bëri thirrje që policia ta hetojë shpejt dhe të gjejë autorët.

“Shprehim solidaritetin e koalicionit tonë Aleanca për Qytetarin. Kandidati ynë, Krenar Alimehmeti, pati një telefonatë me zotin Koka, ku i shprehu solidaritetin e tij dhe i ka kërkuar policisë të nxjerrë para drejtësisë autorët”, ka deklaruar një zëdhënëse e shtabit elektoral.

Top Channel