Grabisin taksinë e të moshuarit

18/04/2011 11:25

Një 74-vjeçar që punonte taksist, i detyruar nga kushtet ekonomiko-sociale, është grabitur nga dy shtetas ende të paidentifikuar nga policia. Të moshuarit i është marrë automjeti, tip “Mercedes Benz”, me targa të huaja, italiane, të cilin e shfrytëzonte për të ofruar shërbim transporti kundrejt pagesës.

Pasi kanë hipur në qendër të lagjes periferike të Durrësit, në Spitallë, sipas “Shqip”, dy persona kanë kërkuar që të dërgoheshin në fshatin Shënavlash, por kur kanë hyrë te rreth-rrotullimi i Shënavlashit, nën kanosjen e një pistolete i kanë marrë të moshuarit mjetin “Benz” dhe pasi e kanë lidhur me letër natriban janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kur i moshuari ka mundur të lirohet ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila është vënë në lëvizje për të gjetur mjetin e vjedhur dhe për të identifikuar dy autorët.

Të dhënat nuk kanë munguar, po rezultatet nuk kanë qenë pozitive, me gjithë krehjet e policisë kryesisht të përqendruara në zonën e Katundit të Ri dhe fshatrave përreth ku mendohej se kishin shkuar autorët.

Burime të policisë bënë të ditur se nuk është saktësuar nëse arma e përdorur për vjedhjen e makinës ka qenë e vërtetë, apo një pistoletë plastike që është shfrytëzuar për arritjen e qëllimit.

Në vendin e ngjarjes, në cilësinë e provës materiale, është bllokuar letra e natribanit me të cilën grabitësit kishin lidhur të moshuarin.

Ajo është dërguar në laborator për t’iu nënshtruar ekspertizës dhe përcaktimit të gjurmëve që kanë lënë autorët në të. Ndërkohë kjo ngjarje nxjerr në pah edhe një problem social, përveç atij të sigurisë në të ushtruarit e një aktiviteti, angazhimin e detyruar nga rrethanat ekonomiko-sociale të të moshuarve në punë.

Personi i dëmtuar natën e vonë të së shtunës ishte një burrë 74-vjeçar që, i detyruar nga situata familjare që kalon familja e të birit, bënte taksistin deri natën e kaluar kur i ndodhi grabitja.

Ai përpiqej të siguronte të ardhura për të mbuluar nevojat për jetesë të familjes së djalit, gruas dhe dy fëmijëve të tij, pasi i biri është kthyer në një person të alkoolizuar.

Përpos kësaj, mosha e 74-vjeçarit duket se e ka kthyer atë në shënjestër të dy grabitësve, të cilët kanë shfrytëzuar edhe errësirën për të vënë në jetë planin kriminal.

Ndërkohë shërbime policore janë angazhuar për të gjetur automjetin e grabitur dhe për të identifikuar dy personat-udhëtarë të natës.

Top Channel