KQZ: Të identifikohet subjekti

15/04/2011 15:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpjeguar vendimin për ndalimin e spoteve të PS-së, në të cilat, sipas KQZ-së, nuk identifikohet subjekti porositës.

“Në reklamat politike ‘Kush është Luli’ dhe ‘Kurrë më’ të transmetuara nga televizionet ‘Vizion Plus’, ‘Top Channel, ‘Ora Neës’ dhe ‘Neës 24’, nuk identifikohet subjekti zgjedhor i cili ka paguar dhe në favor të të cilit transmetohen këto reklama. Për këtë arsye, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi vetëm masën e bllokimit të transmetimit të reklamave të mësipërme”, është shprehur zëdhënësi i KQZ-së.

“Kodi Zgjedhor në nenin 80, pika 1, germa ‘ç’, përcakton se ‘në çdo program ose reklamë radiotelevizive, në shërbim të propagandës zgjedhore, duhet të përcaktohet qartë subjekti zgjedhor përkatës’. Neni 84, pika 4 e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit ‘Vetëm subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje kanë të drejtë të transmetojnë reklama politike gjatë periudhës zgjedhore në radiot, televizionet apo mediat audiovizive private, qofshin këto numerike, kabllore, analoge, satelitore apo të çdo lloj forme dhe mënyre transmetimit të sinjalit’”, shtoi ai.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve garanton subjektet zgjedhore që të paraqesin lirisht reklama politike gjatë periudhës zgjedhore, pa kufizuar përmbajtjen e tyre. Për arsyen e mos identifikimit të subjektit zgjedhor, dhe në asnjë rast për përmbajtjen e reklamave të mësipërme, si dhe duke u bazuar vetëm në dispozitat e Kodit Zgjedhor, KQZ urdhëroi bllokimin e transmetimit të tyre, deri në momentin që subjekti politik i cili e ka porositur transmetimin e tyre, ose televizioni që e transmeton, të qartësojë gjatë transmetimit të këtyre reklamave subjektin zgjedhor për llogari të të cilit transmetohet reklama”, theksoi KQZ-ja.

Top Channel