Importuesit e naftës, letër Bodes

15/04/2011 08:25

Çmimi i naftës po “çmend” konsumatorët, të cilët po e blejnë shumë më shtrenjtë nga sa e kishin parashikuar.

Në pikat e shitjes me pakicë, benzina u shit dje me 180 lekë dhe gati po aq edhe nafta, duke e bërë tepër të vështirë menaxhimin e shpenzimeve për mjetet e transportit, linjat e biznesit, si dhe drejtuesit privatë të automjeteve.

Në krizën e krijuar të çmimeve, shkaktuar nga ecuria e tregjeve të huaja (trazirat në vendet arabe), importuesit kryesorë të karburanteve propozojnë marrjen e masave për reduktimin e kostos.

Një letër e Shoqatës së Hidrokarbureve, pjesë e organizatës “BiznesAlbania”, i është drejtuar dje ministrit të Financave, ku propozohet rishikimi i disa kateve nënligjore dhe udhëzimeve të marra në tre vitet e fundit, të cilat ndikojnë ndjeshëm në përcaktimin final të çmimit të naftës.

“Në kushtet kur ka rritje çmimesh në mënyrë objektive, sikundër është duke ndodhur aktualisht në bursat ndërkombëtare, ky kuadër ligjor ekzistues lë shteg për propagandë abuzive, sikur rritja e çmimeve vjen nga kjo e drejtë që u është dhënë importuesve e prodhuesve në caktimin e çmimit në mënyrë vertikale”, shprehen importuesit në letër.

Top Channel