Licensa shtesë për importin

14/04/2011 20:55

Në datën një janar qeveria ka miratuar nën argumentin e sigurisë kombëtare një vendim, i cili klasifikon mbi tetë mijë produkte si mallra me përdorim të dyfishtë, si për shembull celularët apo komjuterat.

Për këto produkte kryhet kontroll i posacëm në doganë. Me këtë kusht të vendosur nga qeveria, biznesi detyrohet të marrë licensa dhe vërtetime shtesë përvec atyre ekzistuese.

“Ne bëjmë dy verifikime, me cilësi të madhe, me një vërtetim të përhershëm. Që do të thotë se subjekti s’ka nevojë për licensë. Dhe nga ana tjetër identifikojmë mallrat me përdorim të dyfishtë”, ka sqaruar Erald Dervishi, kryetar i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

Sipas biznesit, ky rregull i ri rëndon procedurat burokratike, sidomos në importin e mallrave të teknologjisë së lartë.

“Pretendojmë të na dëgjoni, që të bëni gjëra më pranë biznesit. Bëni c’keni në dorë që të mos na bezdisni shumë”, ka deklaruar Genc Boga, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Dhoma Amerikane ankohet se pikërisht për shkak të këtij rregulli të ri, biznese anëtare të saj janë bllokuar në doganë dhe përvec kostos po humbasin edhe tregun. Për më tepër, biznesi thotë se procedurat janë kaotike dhe të paqarta.

“Ju thoni që duhet vetëm një vërtetim. Por zonja tha se vërtetimi shkruan se është i vlefshëm vetëm për një herë. Kjo duhet vërtetuar”, ka nënvizuar Boga.

Kjo masë e qeverisë, ndonëse argumentohet me sigurinë kombëtare, është një praktikë që nuk përdoret në shumicën dërrmuese të vendeve të Bashkimit Europian, përvecse në Hungari apo dhe Ceki.

Top Channel