KQZ ndalon spotet e PS-së

14/04/2011 23:25

Pas një propozimi të shumicës së anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Medias, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me katër vota pro dhe dy kundër të urdhërojë ndërprerjen e transmetimit të dy spoteve të Partisë Socialiste.

Spoti “Kush është luli” vë në shënjestër Lulzim Bashën, kandidatin demokrat për Bashkinë e Tiranës, kurse spoti “Kurrë më” i bën reklamë argumentave anti-qeveritare të opozitës.

Ligji në fakt i njeh të drejtë subjekteve zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje, sic është Partia Socialiste, të transmetojnë reklama politike. Por shumica e Bordit të Monitorimit argumentoi se në spotin “Kurrë më” është e pamundur të identifikohet forca politike. Kurse spoti “Kush është luli” paragjykon interesat e konsumatorëve.

Tre anëtarët në pakicë në Bordin e Monitorimit të Medias, propozuan që një reklamë e Ministrisë së Brendshme për heqjen e vizave, e cila vë në qendër të saj Lulzim Bashën në kohën kur ishte Ministër i Brendshëm, të klasifikohet si kohë politike e kandidatit Basha. Por Komisioni Qendror i zgjedhjeve nuk e mori parasysh këtë propozim.

Anëtarët në shumicë të Bordi të Monitorimit të Medias, në pr/vendimin e propozuar prej tyre kishin parashikuar edhe gjoba në masën 2 mln lekëve për televizonet Vizion +, Neës 24 dhe Ora Neës dhe 3.5 mln lekë për Top Channel.

Sipas katër anëtarëve të Bordit, këto televizione kishin vazhduar t’i transmetonin këto spote edhe pse bordi i kishte kërkuar KQZ-së ndërprerjen e tyre tre ditë më përë.

Por në fakt, pavarësisht propozimit të katër anëtarëve të Bordit, KQZ urdhëroi ndërprerjen e spoteve vetëm këtë mbrëmje. Ndaj në këto kushte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerësoi krejt të pavend të diskutohej për gjoba.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte unanim sa i takon masave të propozuara nga Bordi i Monitorimit për kompensim të kohës televizive në lajme nga operatorët radiotelevizivë.

Deri në fund, Bordi do të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 4 raporte javorë dhe një përfundimtar.

Top Channel