Dëborë në Kukës dhe Dibër

14/04/2011 08:05

Ulja e temperaturave gjatë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme ka sjellë në zonën verilindore të vendit sasi të mëdha reshjesh dëbore.

Kështu në Kukës, veçanërisht në aksin Kukës-Tiranë pranë tunelit të Kalimashit reshjet e dëborës kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve për disa orë dhe janë bërë shkak për disa dhjetra aksidente të lehta dhe dalje të mjeteve të rënda nga rruga.

Sasia e madhe e dëborës që ra brenda pak minutave shkaktoi kaos në trafik.

Bllokimi rrugës nisi nga ora 17 deri në orën 22. Të dyja kalimet e autostradës janë bllokuar dhe për pasojë mbi 300 mjete kanë mbetur në rrugë.

Disa trajler kanë rrëshkitur duke bllokuar kalimin e mjeteve deborëpastruese.

Drejtuesit e mjeteve janë kapur të papërgatitur dhe pa zinxhirë.

Në orët e mbrëmjes falë ndërhyrjes së dëborëpastrueseve rruga është hapur dhe ka rinisur lëvizja e mjeteve.

Reshjet e dëborës prekën edhe disa zona të Dibrës, zonat malore, por edhe qytetin e Peshkopisë.

Trashësia e dëborës në qytete si Kukësi mbërriti deri në 10 centimetra, ndërsa në rrugën nacionale pranë tunelit të Kalimashit deri në 30 centimetra.

Top Channel