Top Story, Shqipëria Vendos 2011, beteja për Lezhën

13/04/2011 22:55

Kryetari aktual, dhe kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj foli në Top Story – Shqipëria Vendos 2011, për investimet e kryera në qytetin e Lezhës gjatë mandatit të tij, por edhe për Kalanë e Lezhës, të cilën e vlerësoi si një aset të mjaft të rëndësishëm historik për qytetin.

Tushaj kundërshtoi projektin aktual për ngritjen e një hoteli dhe të një fushe tenisi brenda kësaj kalaje dhe tha se ai është për ndërtimin e një muzeu arkeologjik, të njëjtë me atë që ndodhet në Kalanë e Beratit.

“Kalaja është aset i rendësishëm historik, fatkeqësisht jo shumë  vizitueshëm, nga turistët deri më sot për shkak të mungesës së infrastrukturës. Kalaja e Lezhës ka rëndësinë e vet, por duhet rivitalizuar, specialistët duhet të thonë fjalën e saj. Politika nuk duhet të ndërhyrjë dhe specialistët do të dijnë të rivitalizojnë kalanë. Kalaja ka nevojë për muze arkeologjik. Instituti monumenteve dhe bashkia ka shumë pak kompetencë për të ngritur zërin. Nuk jam për ndërtimin e hoteleve e restoranteve, por të ndërtohet një muze. Kjo duhet t’i nënshtrohet një kompetence më të gjërë”, tha zoti Tushaj.

Por, kundërshtari i zotit Tushaj, dhe kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës u shpreh dakort për rivitalizimin e Kalasë përmes ndërtimit të rrugës dhe hodhi dyshime se projekti për ndërtimin e një hoteli dhe fushe tenisi është një projekt nga të rinj me bllok në dorë që kërkojnë të privatizojnë edhe historinë.

“Ky projekt është rezultat i babëzisë së njeriut me bllok në dorë. Jam dakort për rivitalizimin e zonës, por kurrë me restorante e fusha tenisi. Një kryetar bashkie nuk ka dijeni për cka ndodh në bashkinë e tij, nuk di ç’të them fjalë tjetër përvecse bojkotim i territorit dhe vlerave historike e kombëtare. Nuk do lejojmë që këto vlera të cënohen nga këta të rinj me bllok në dorë. Jam kundër projektit dhe jam për jetësimin e kësaj kalaje përmes rrugës historike”, tha kandidati Jaku.

Përsa i përket prioriteteve në mandatin e ardhshëm, kandidati mazhorancës, Viktor Tushaj vuri theksin tek turizmi dhe ndërtimi i parkut industrial që do të hapte 3 mijë vende të reja pune.

“Prioritet turizmi dhe lufta kundër varfërisë. Parku industrial do të hapë mbi 3000 vende të reja pune. Mbledhja e trajtimi mbeturinave, uljen e varfërisë. Kemi projekt pilot për mbledhjen e mbeturinave të diferencuara. Prioritet vazhdimi i përmirësimit të infrastrukturës”, deklaroi kryetari aktual dhe kandidati LSI-së, Tushaj.

Por për rivalin e zotit Tushaj, Gjok Jaku, trashëgimia kulturore e historike po cënohet.

“Lezha ka vlera turistike e historike dhe ato vlera që janë trashëguar po preken. Memoriali i Skënderbeut sot funksionon si një han me 3 porta, ku gjen bagëtitë. Sjellje jo korrekte ndaj këtyre vlerave duke hequr edhe pagesën për këto vlera. Ndërtimi i parkut industrial është një tjetër shkelm për Lezhën. Po sulmohet me ndërtimin pa kriter të fabrikave të cimentos në zonën e Balldrenit dhe kjo zonë turistike po vdes. Pas kantierit të punësimit fshihen interesa të drejtpërdrejta biznesi. Premtoj rikthim të Bashkisë së Lezhës dhe të administratës së saj, transparencë maksimale për qytetarët e Lezhës dhe efektivitet i përdorimit të të ardhurave publike”, tha zoti Jaku.

Top Channel