Rama: Saliu s’e merr dot Vlorën

13/04/2011 23:50

Nga Sheshi i Flamurit nën një shi që nuk ka pushuar gjatë gjithë organizimit, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i kërkoi vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve t’i japin në 8 maj votën e largimit kryeministrit Berisha dhe gjithë shpurës së tij.

Në Vlore për opozitën rikandidon Shpëtim Gjika, i cili foli në hapje të mitingut.

“Jam krenar dhe kërkoj edhe njëherë votën dhe zemrën tuaj në këmbim të përkushtimit tim, të dashurisë jetike që me lidh me Vlorën dhe bashkëqytetarët e mi për të vijuar materializimin e projektit tonë të përbashkët për një Vlorë europiane”, tha kandidati Gjika.

Për Ramën mbështetja ndaj Shpëtim Gjikës në Vlorë dhe kandidatëve të majtë në cdo cep të vendit është hakmarrja ndaj dështimeve, korrupsionit, vrasjeve të Gërdecit dhe 21 janarit.

“Nuk kanë shans të fitojnë Vlorën as sot dhe as mot, nuk kanë shans ta fitojnë Tiranën as sot as mot, nuk kanë shans ta fitojnë Durrësin, Elbasanin, Korcën, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën e me rradhë as sot dhe as mot. Por edhe në Kamëz e Kavajë nëse duan të fitojnë duhet të djersitin fort dhe do fitojnë vetëm me votë, në asnjë mënyrë dhe asnjë rrugë tjetër. U them që të përgatiten që me votë edhe në Kavajë e në Kamëz mund të munden”, tha Rama.

Rama i lëshoi edhe një sfidë kryeministrit Sali Berisha, i cili duhet t’u përgjigjet pyetjeve për jetesën e cdo shqiptari, e të mos merret me ato që lideri i PS i cilësoi si punët e komunales.

“Saliu flet përditë për kanale, rrugë fshati, flet përditë për kilometra asfalti, punë të komunales të gjitha këto ndërkohë që nuk i jep përgjigje pyetjes që bren cdo ditë familjet e zakonshme shqiptare: pse kaq shumë shqiptarë, të rinj e të moshuar ndjehen sot më të pafuqishëm përballë shtrenjtimit të jetesës dhe kufizimit të mundësive të tyre për të jetuar? Pse kaq shumë shqiptarë kanë humbur dhe humbin përditë punën?”, tha Rama.

Sipas zotit Rama në 8 maj të gjithë duhet të ndjekin të vetmen rruge, atë që sipas tij i jep shqiptarëve një qeveri që të punojë për ta.

Top Channel