Bllokohet Durrës-Kukës

13/04/2011 23:15

Aksi rrugor nacional Kukës – Kalimash është bllokuar tërësisht si pasojë e rënies së reshjeve të dendura të dëborës.

Sipas korespondentit të Top Channel në Kukës, Bekim Leknica, 300 automjete janë bllokuar 10 kilometra pa shkuar në tunelin e Kalimashit, ndërsa bora ka arritur trashësinë e 30 centimetrave duke e berë të pamundur kalimin.

Gjatë qarkullimit, katër trajlera kanë rrëshqitur në autostradë, dhe kanë ngelur në formë  kryqi duke bërë të pamundur lëvizjen e automjeteve.

Të bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së trajlerave kanë mbetur edhe dy borëpastruese si edhe disa mjete të policisë rrugore.

Mes vargut të automjeteve të bllokuara nga dëbora janë edhe katër autobuzë udhëtarësh, dy prej të cilëve me nxënës dhe studentë nga Tirana, që ktheheshin nga vizita e tyre në Prishtinë.

Dëbora vazhdon të bjerë me intensitet të lartë duke vështirësuar akoma edhe më shumë situatën.

Qarkullimi në autostradë me drejtim nga Rrësheni drejt tunelit të Kalimashit është përkohësisht i ndaluar për shkak të këtij bllokimi si edhe rrezikshmërisë së lartë për të qarkulluar.

Top Channel