Incident në mitingun e Ramës

12/04/2011 22:55

Ka nisur me një incident të rëndë takimi elektoral i radhës i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama me banorë të minibashkisë numër 5 në kryeqytet. (UPDATE)

Një i ri 15 vjec, simpatizant i Partisë Socialiste ka mbetur i plagosur me thikë, gjatë një konflikti me simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ngjarja ka ndodhur kur militantë të PS po i drejtoheshin kinema Imperial në qendrën Kristal ku pritej të shpalosej projekti i Bashkisë së Tiranës për mandatin e ardhshëm.

Ata kanë shkëmbyer batuta me militantë të LSI, pranë një zyre elektorale të kësaj të fundit e cila ndodhej vetëm pak metra larg qendrës ku do të zhvillohej takimi.

Pak caste më vonë kur njerëzit po futeshin brenda në salle grupet e të rinjve janë konfliktuar duke u qëlluar me njërin-tjetrin. Nga ky konflikt ka mbetur i plagosur me thikë një 15 vjecar. Ndërkohë që autori i plagosjes është larguar dhe ne vendngjarje ka mbetur vetëm arma e krimit, një thikë.

Forca të rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të hetuar në lidhje me këtë incident. I plagosuri është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në spital ka shkuar deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni që ka akuzuar LSI për këtë incident.

Përmes nënkryetarit të saj, Petrit Vasili, LSI ka reaguar duke deklaruar se nuk ka lidhje me këto incidente dhe ftoi nxitësit e provokimeve të heqin dorë. Sipas Vasilit, LSI do të vazhdojë fushatën e saj me programe dhe ide konkrete.

Top Channel