Arvizu: Ruani qetësinë

12/04/2011 19:55

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu nga qyteti i Elbasanit, u ka bërë apel partive politike dhe komisioneve elektorale që të ruajnë qetësinë në këto zgjedhje.

Arvizu u referohet incidenteve të fundit me sfond politik që kanë ndodhur këto ditë gjatë fushatës.

Duke kujtuar se në këto zgjedhje nuk është e rëndësishme fituesi, por mënyra se si do të fitojë, Arvizu ju referua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë punën e tij dhe partive të respektojnë rregullat.

“Sigurisht që unë shqetësohem për incidentet e dhunshme apo jo të dhunshme që ndodhin për shkak të zgjedhjeve. Sigurisht apeli im ndaj gjithë forcave politike është për qetësi qofshin këto komisionet elektorale, Partia Socialiste, Partia Demokratike apo partitë më të vogla. Sigurisht ne e kuptojmë që politika është për fitoren, por gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë është jo vetëm se kush do fitojë, por edhe si do fitojë, se sa i butë dhe i qetë do jetë ky proçes. Dëshira ime është që të gjithë ata që kandidojnë të mos mendonin më shumë për fitoren se sa për njerëzit nga të cilët do të zgjidhen. Kam dëgjuar disa njerëz të thonë se këto janë zgjedhje politike dhe të tjerë që këto janë zgjedhje administrative. Unë personalisht nuk e kuptoj se cili është ndryshimi. E rëndësishme është që këto zgjedhje dhe ky proçes elektoral nuk do t’i shkaktojë njerëzve ankth dhe keqardhje dhe dëshpërim. Këto zgjedhje duhet t’i japin njerëzve shpresë për të ardhmen e këtij vendi. Shpeshherë njerëzit më thonë se kujt i shkon mesazhi im, sigurisht është për çdokënd që unë përmenda në ato që thashë. Qeveria duhet të bëjë ç’është e mundur që zgjedhjet të jenë transparente dhe fusha e lojës të jetë e barabartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë punën e vet dhe Partia Socialiste e Partia Demokratike duhet të zbatojnë këto rregulla dhe të mendojnë për votuesit, jo vetëm për të fituar edhe mënyra se si humb dërgon një mesazh të mirë për njerëzit”, është shprehur Arvizu.

Këto deklarata ambasadori i bëri gjatë një takimi për të zgjedhurit lokalë të Elbasanit. Kryebashkiaku Qazim Sejdini njohu ambasadorin me projektet e realizuara me ndihmën e USAID-it.

Top Channel