Shkodër, arrestohen vjedhësit e kabllove elektrike

11/04/2011 11:40

Pas më shumë se një muaji, policia ka rënë në gjurmë të personave që vidhnin kabllot e linjave elektrike të qytetit duke bërë të mundur dhe prangosjen e tyre.

Në një njoftim të Policisë së Shkodrës mësohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë arrestuar shtetasit Besnik Dema, 33 vjeç, Fatjet Dema, 31 vjeç dhe Shpëtim Dema, 41 vjeç, të cilët janë zënë në flagrancë duke vjedhur linjën elektrike në unazën e qytetit.

Personat në fjalë prej disa javësh kishin nisur një “sulm” të studiuar ndaj linjave elektrike të ndriçimit rrugor duke lënë në errësirë disa nga rrugët kryesore të qytetit.

Policia tha se personat e arrestuar vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ndaj të arrestuarve janë ngritur akuzat e vjedhjes në bashkëpunim dhe prishjes së pronës.

Po sipas policisë, pasi janë marrë në pyetje nga agjentët antikrim, të arrestuarit kanë pranuar faktin se janë autorë të dëmtimit me anë të vjedhjes të rrjetit elektrik në disa rrugë kryesore të qytetit.

Gjithashtu, ata kanë dëshmuar para agjentëve të policisë se kabullin që vidhnin e shisnin më pas për bakër si skrap për shkak se nuk kishin mundësi punësimi dhe jetonin në kushte tepër të vështira ekonomike.

Rasti i ditës së djeshme nuk është i pari në Shkodër, vetëm gjatë tre muajve të fundit kanë prangosur 7 persona që siguronin jetesën duke vjedhur përcjellësit e linjave elektrike.

Top Channel