Moisiu: Kosova po lë pas Shqipërinë

11/04/2011 21:55

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu vlerëson se Kosova, me zgjidhjen e krizës politike në një kohë rekod, i ka dhënë një leksion të mirë Shqipërisë.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Moisiu është shprehur se, fakti që liderët kosovarë zgjodhën një grua presidente, tregon se ata janë më të ndërgjegjshëm se politikanët tanë.

“Pala kosovare e zgjidhi krizën shpejt. Bënë një zgjidhje dhe zgjodhën një grua, në Ballkan madje. Këto raste edhe në Evropë janë të rralla. Ta kapërcejnë shqiptarët një krizë kur sapo kanë fituar pavarësinë, është një fitore për kosovarët. Kjo tregon se ata mendojnë më shumë dhe më mirë për vendin e tyre. Ka vend për politikanët tanë që të mësojnë nga vëllezërit tanë”, ka deklaruar Moisiu.

Sipas tij, në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një mungesë vullneti të politikanëve, që vjenë edhe si pasojë e mungesës së kulturës ligjore, që në Kosovë duket se ekziston.

“Kjo tregon gjithashtu se shqiptarët nuk kanë vullnet. Ai i mungon klasës tonë politike prej 20 vjetësh. Gjithashtu, ajo zonjë e zgjedhur në Kosovë ka një kulturë ligjore, që ne këtu e kemi ende në nivele të ulëta. Kultura ligjore është shumë e rëndësishme, nuk mjafton ta njohësh, por ligji është ligj dhe duhet të pranohet. Me fjalë e thonë politikanët tanë, por në zbatim…”, është shprehur Moisiu.

“Ndërsa shqiptarët e Kosovës, nga vuajtjet që kanë kaluar, një shekull në skllavëri, e kanë kuptuar mrië se me ligjet nuk duhet luajtur. Ligjet bëhen për t’u zbatuar”, ka theksuar ish-kreu i shtetit.

Ai ka shtuar më tej se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, por nga politika që sundon mbi ligjin. “Ligjet tona janë bërë me konsulencën e KiE dhe SHBA, por ne ende s’e kemi atë kulturë që ato duhen zbatuar. Tek ligji dhe Maliqi, ne respektojmë Maliqin”, ka nënvizuar Moisiu.

Duke theksuar se në Shqipëri është kultivuar pandëshkueshmëria, Moisiu ka marrë si shembull Italinë, ku kryeministri Berlusconi është në proces dhe ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader, që është arrestuar për korrupsion.

“Në itali kryeministri po përballet me ligj. Ish-kryeministri i Kroacisë po ashtu. Ne kemi nevojë për një klimë ku drejtësia të lejohet të bëjë punën e saj. Politika nuk duhet të ketë punë fare”, ka shtuar Moisiu.

Top Channel