Kamza e ngjyrosur në blu

09/04/2011 01:05

Për të dytën natë radhazi simpatizantë të Partisë Socialiste janë mbledhur në qendër të Bashkisë Kamëz duke shprehur indinjatën e tyre për mos lejimin e vendosjes së materialeve propagandistike.

Simpatizantët e Partisë Socialiste i deklaruan Top Channel se pavarësisht dërgimit të një kërkese zyrtare, kryetari Bashkisë Kamëz, zoti Xhelal Mziu ka dhënë një përgjigje e cila nuk e ka qetësuar situatën.

Në përgjigjen e zotit Mziu thuhet se të gjitha subjektet politike duhet t’i vendosin materialet propogandistike nëpër qendrat e disa komunave, por pa specifikuar se ku.

Ndërkohë materialet propagandistike të Partisë Demokratike, e cila ka si kandidat zotin Xhelal Mziu janë vendosur në cdo cep të Bashkisë Kamëz.

Pjerin Ndreu kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën thotë se konform ligjit i jane drejtuar Bashkisë Kamëz për t’i caktuar vendet se ku do të vendosen flamujt apo posterat elektoralë, por ata ende nuk kanë marrë një përgjigje.

Gjithashtu sipas zotit Ndreu mësohet se kryetari i Bashkisë Kamëz ka refuzuar të verë në dispozicionin e tyre listat e votuesve sic e parashikon Kodi Elektoral.

Top Channel