Basha tek kompleksi “Dinamo”

09/04/2011 15:45

Kandidati demokrat Lulzim Basha ishte ftuar në një aktivitet sportiv organizuar nga Agjencia e shërbimit të sporteve, që administron kompleksin “Dinamo”.

Në këtë kohë fushate, imazhi që i duhet të përcjellë te njerëzit, e bën të vëmendshëm për të shtrënguar duart e kujdto që i del përpara.

Me një histori të trazuar pronësie dhe interesash deri imobiliare, kompleksi “Dinamo” është marrë tani nën administrim nga shteti dhe për zhvillimin e tij ekziston një plan.

Kjo i shkon përshtat kandidatit Basha, i cili ka ardhur këtu për të përcjellë një mesazh për sportin në kryeqytet.

Kësaj here nën objektivat e kamerave të të gjitha televizioneve, pas refuzimit kolektiv të profesionit për të pranuar imazhe të kontrolluar nga shtabet elektorale.

“Do angazhohemi për një kundërsulm të fuqishëm të sportit ndaj betonit, duke bërë ambjente sportive në cdo lagje dhe duke u mundësuar fëmijëve një zhvillim të fuqishëm shëndetësor përmes sportit”, ka deklaruar Basha.

“Jo cdo gjë në kohë fushate bëhet për përthithje vote. Për mendimin tim, garat duhen parë si kompeticion për përmirësimin e jetës. Ndaj bashkia do të bëjë terrene sportive”, ka thënë ai.

Kandidati demokrat është shprehur i bindur se do t’i ketë në dispozicion burimet financiare kur të zbatojë planin e tij për uljen e taksave.

“Absolutisht, burimet e bashkisë do të jenë më të mëdha se tani dhe do të punohet ngushtë me sektorin privat”, ka shtuar Basha.

Në celjen e fushatës zoti Basha deklaroi se do të heqë rreth 60 taksa dhe tarifa vendore dhe do të ulë 2 deri në 5 herë taksat dhe tarifat që mbesin.

Top Channel