B.Fildishtë, qëllohen helikopterët francezë

09/04/2011 13:15

Helikopterë të ushtrisë franceze u qëlluan prej forcave të presidentit të paligjshëm Gbagbo, gjatë një misioni evakuimi në Bregun e Fildishtë, bëri me dije një zëdhënës ushtarak.

Komandanti Frederic Daguillon, zëdhënës ushtarak i misionit paqeruajtës francez në Bregun e Fildishtë, bëri të ditur se asnjë ushtar nuk mbeti i plagosur në këtë sulm, por helikopterët u detyruan t’i përgjigjeshin zjarrit dhe shkatërruan një mjet të armatosur.

Si rrjedhojë, misioni për të evakuar nga Abixhani disa diplomatë francezë u anullua. Ambasada e Francës u godit një ditë më parë nga dy predha mortaje të lëshuar prej forcave të Gbagbo-s.

Disa mijëra ushtarë të Ouattara-s mbajtën të rrethuar për disa ditë bunkerin presidencial, por Gbagbo mundi të organizonte një kundërofensivë surprizë më parë gjatë mëngjesit dhe ka siguruar disa lagje të kryeqytetit fiktiv të vendit.

Top Channel