USAID, ndihmë shëndetësie

08/04/2011 17:45

Në një tryezë diskutimi për prezantimin e një projekti pesëvjeçar të financuar nga USAID, ambasadori amerikan tregoi me shembuj konkret disa nga sëmundjet kryesore që kanë prekur sot sistemin e shëndetësisë.

“Reforma në shëndetësi është në fazën fillestare dhe vetëm 3% e PBB-së shkon për shpenzime në shëndetësi që është sa gjysma e nivelit të shpenzuar nga vendet e BE-së. 50 deri në 60 përqind e shqiptarëve paguajnë para nën dorë për të siguruar shërbimet shëndetësore”, tha Arvizu.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha duke vlerësuar këtë projekt e ka vënë theksin edhe njëherë në rolin e rëndësishëm që ka aspekti menaxherial i sistemit të mjekësisë ku siç tha ai këtë vit janë investuar 110 milionë euro.

Gjithashtu zoti Berisha është ndalur edhe në rolin e rëndësishëm që ka sektori privat në shëndetësi.

“Ne kemi mjek shumë të aftë dhe shumë të zotë. Kemi klinika të pajisura dhe mund t’i pajisim me çdo gjë që të ketë nevojë. Kemi mbështetje, por nuk kemi zhvilluar dot akoma aftësitë menaxheriale. Nuk ka sukses të vertetë pa menaxhim”, tha Berisha.

Ministri i Shëndetësisë zoti Petrit Vasili duke vlerësuar maksimalisht ndihmën e dhënë nga USAID-i tha se mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari mbetet prioritet i qeverisë dhe se aksesi për shërbime të barabarta për të gjithë është një prej prioriteteve të dikasterit që drejton.

Top Channel