Arvizu në “Top Story”

08/04/2011 16:10

Në një bisedë të gjatë prej më shumë se dy orësh, ambasadori amerikan iu përgjigj shumë pyetjeve, veçanërisht për dy prej çështjeve kyçe me të cilat përballet vendi: hetimin e ngjarjeve të 21 janarit dhe zgjedhjet lokale në Shqipëri. (UPDATE)

Ambasadori Arvizu tha se çdo qëndrim që ka mbajtur deri tani, nuk ka qenë një qendrim personal, por deklarata dhe qëndrime të konsultuara me Departamentin e Shtetit.

Siç u shpreh ambasadori amerikan, një linjë të tillë që përcjell vetëm opinionin zyrtar të Departamentit të Shtetit, ka mbajtur edhe paraardhësi i tij, Xhon Uidhers.

“Thelbi është që ne gjendemi këtu si përfaqësues personalë të Shteteve të Bashkuara. Nëse do të ketë një perceptim në Uashington që dikush nuk po bën një punë të mirë, duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara, ata persona s’do të ishin këtu. Mendoj që nëse i rikthehem ambasadorit Uidhers, do të thosha që është e padrejtë që njerëzit që kanë sugjeruar se ai ka pasur axhendën e tij personale, që ai nuk ka qenë një person që nuk ka ndjekur politikat e Uashingtonit, gjithashtu mendoj që do të ishte e padrejtë për një numër të vogël personash që po më kritikojnë mua, që po bëj të kundërtën”, është shprehur Arvizu.

Duke folur për 21 janarin, ambasadori amerikan tha se për individët e policisë që kanë tejkaluar masën kundër protestuesve, po zhvillohet një hetim, por përgjithësisht, sipas tij, policia u provokua fillimisht nga protestues të dhunshëm.

“Është e qartë që duhej ta kisha shpjeguar më mirë që kishte një numër incidentesh në pjesën e fundit të demonstratës. Nuk po flas për gardën e republikës, për të shtënat, por për qetësimin e protestës. Kam parë një pjesë të filmimeve dhe duket qartë që kjo ka qenë në pjesën e fundit të demonstratës, kur kanë qenë të izoluar, ka pasur incidente të izoluar. Policia ka përdorur një forcë të tepërt duke i tërhequr njerëzit e duke i marrë brenda. Ka qenë një ditë e lodhshme për të gjtihë. Jam i sigurt që njerëzit kanë qenë të lodhur, po policia gjendet aty për të mbrojtur ligjin, për të ngjallur besim. Pavarësisht se mund të jenë goditur, kjo s’duhej të kishte ndodhur. Di që ka disa hetime që po zhvillohen ende për sjelljen e tyre gjatë kësaj periudhe, kështu që pozicioni ynë është që disa individë nga policia nuk kanë vepruar si duhet. Nëse nuk kanë vepruar si duhet, duhet të përballen me pasojat”, theksoi Arvizu.

I pyetur nëse kishte të njëjtin mendim me zyrtarin e lartë amerikan, Tomas Kantrimen, se në 21 janar nuk ka pasur përpjekje për puç shteti në Shqipëri, ambasadori amerikan tha shkurt dhe prerë: “Po, jam i të njëjtit mendim me z. Countryman”.

“Gjithashtu kemi pasur një sërë hetuesish që kanë ardhur nga FBI dhe gjithashtu persona që janë ekspertë hetimesh. Kur isha në SHBA, para dy javësh, jam takuar me dy prokurorë me shumë përvojë. Ata do të vijnë këtu, gjithashtu të paguar nga SHBA, në mënyrë që të ndihmojnë prokurorët, policinë e shtetit shqiptar dhe gjithashtu laboratorin që merret me hetimin e provave, sepse kjo gjë po ndërmerret nga shumë persona. Pra, ky është hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo që ka shumë vlerë për ne është se po përpiqemi të japim ndihmën tonë, kredibilitetin tonë. Sepse shumë njerëz i shikojnë Shtetet e Bashkuara si objektiva, si të balancuar me ekspertizën e çështjeve të tilla”, tha Arvizu.

Për sa i përket zgjedhjeve lokale të tetë majit, ambasadori Arvizu shprehu besimin e tij se misioni i OSBE-ODIHR do të punojë me profesionalizëm për të nxjerrë konkluzionin nëse këto zgjedhje ishin të lira e të ndershme.

Për sa i përket shqetësimeve që janë ngritur nga opozita, i kam dëgjuar të gjitha. Ka dhe të tjera, dhe besoj se disa prej tyre, në fakt janë të mirëngritura, por disa të tjera më pak. Mendoj se është shqetësuese që këto çështje e këto probleme vazhdojnë të ndryshohen dhe që ka të reja në sipërfaqe, por megjithkëtë, besoj se ka një farë legjimiteti në këtë. Të gjithë duan transparencë, të gjithë duan që zgjedhjet të shkojnë mirë. Kam shumë besim te OSBE dhe ODIHR, sepse janë persona që kanë shumë përvojë. Janë të balancuar, kanë rol objektiv. Mendoj se duhet të kemi besim te ata, teksa ndërmarrin të bëjnë punën e tyre. Gjithashtu po shikojmë për mundësinë që të kemi një amerikan dhe një europian që të vendosen si këshilltarë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është një çështje që po shihet dhe besoj se do të rrisë nivelin e besimit të njerëzve”, deklaroi Arvizu.

Top Channel