Probleme me listat në Tiranë

07/04/2011 19:55

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, një bashkim vullnetar shoqatash që do të monitorojë zgjedhjet e 8 majit, ka publikuar raportin e parë të ndërmjetëm.

Raporti analizon situatën parazgjedhore deri në muajin prill dhe përmban rekomandime për institucione të ndryshme.

Në lidhje me marrëveshjen e partive të datës 1 prill, raporti vë re se marrëveshja ka pika të panevojshme, të cilat vendosin rolin dhe vullnetin e partive politike mbi atë të zbatimit të ligjit, si për shembull pikat mbi angazhimin për të zbatuar dhe respektuar ligjin apo kërkesat e Kodit Zgjedhor, ndërkohë që zbatimi i ligjit është element parësor për të gjithe aktorët, individë apo subjekte elektorale, në pushtet apo në opozitë.

Në lidhje me debatin për listat, raporti arrin në përfundimin se gjatë kësaj periudhe janë vërejtur lëvizje të vendbanimeve nga një njësi vendore në tjetrën me synime të qarta politike, ndërkohë që, vëzhguesit vendorë, duke mos pasur akses në përditësimin e listës, nuk mund të thonë me siguri nëse këto ndryshime reflektohen në Listën e Zgjedhësve apo jo.

Pavarësisht detyrimit ligjor të përcaktuar në Nenin 57 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit listat duhet t’i vihen në dispozicion çdo subjekti zgjedhor që i kërkon, nga Kryetari Njësisë Vendore, këta të fundit në disa njësi bashkiake në Tiranë, kanë refuzuar t’i japin ato, pa dhënë asnjë arsye.

Raporti i rekomandon kryetarëve të njësive vendore të shmangin ndërhyrjet e paligjshme në listat e zgjedhësve. Por nga ana tjetër raporti u rekomandon anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita të zënë sa më parë vend në mbledhjet e KQZ.

Komisioni duhet të miratojë sa më parë rregulloren për funksionimin dhe organizimin e tij dhe duhet t’i kushtojë mjaft rëndësi trajnimit të komisionerëve të niveleve të dyta e të treta.

Raporti i vëzhguesve vendorë u kërkon këtyre komisionerëve të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në frymën e ligjit dhe jo të ngjyrave partiake.

Raporti ka një rekomandim edhe për qeverinë, për të zëvendësuar sa më parë ministrat e dorëhequr, sidomos ministrin e Brendshëm, institucioni i të cilit ka lidhje dhe përgjegjësi direkte me mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor.

Për më tepër, shkruhet në raport, që ish-ministri Basha është kandidat për Bashkinë e Tiranës. Rekomandime ka edhe për partitë politike, që të angazhohen për një fushatë të qetë, rritjen e besimit mes palëve dhe mospërdorimin e administratës publike qëndrore e lokale për qëllime elektorale.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë bën publike edhe rekomandime për mediat, për një pasqyrim sa më realist dhe objektiv të fushatës, apo për Policinë e Shtetit që të sigurojë mbarëvajtjen e fushatës dhe të gjitha etapat e tjera të procesit zgjedhor.

Top Channel