
Instituti për Studime Ndërkombëtare ka hapur siparin e sondazheve për zgjedhjet e 8 majit, duke u fokusuar në panoramën e situatës parazgjedhore dhe pritshmëritë e votuesve.
Sipas zotit Albert Rakipi, drejtor ekzekutiv i këtij instituti, qëllimi primar i sondazhit, ku janë pyetur 1250 persona në 10 rrethe të vendit, është perceptimi mbi zgjedhjet lokale.
Pyetjes nëse besojnë që zgjedhjet do të jenë të drejta dhe të lira 34.7% i janë përgjigjur po, 28.3 mendojnë se zgjedhjet nuk do të jenë të drejta e të lira, ndërsa 37 për qind nuk mund të shprehen saktësisht.
Ky sondazh zbulon një fakt interesant, se cilat janë arsyet përse votohet një kandidat ku në plan të parë dalin cilësitë e kandidatit dhe jo programi.
Vetëm 23% e tyre ia besojnë votën në bazë të programit, ndërsa 34.6% cilësive të kandidatit, vijuar nga partia që e ka propozuar me 31.1%.
Puna e qeverisë lokale për katër vjetët e shkuara ka marrë nota aspak rozë, ku shumë të kënaqurit janë 11.5% dhe të kënaqurit 22.5%.
Marrëdhëniet qeveri vendore me atë qendrore, të mbushura me akuza të ndërsjellta këto vitet e fundit, nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së qytetarëve ku 58% e të anketuarve kanë deklaruar se këto marrëdhënie janë të këqija, kundrejt 38% që mendojnë se janë shumë të mira.
Për shqetësimet që kanë, të anketuarit i besojnë më shumë deputetit të zonës se sa kryetarit të bashkisë. Ata nuk ngurrojne t’i drejtohen për ndihmë kryeministit Berisha, të cilin e kanë kontaktuar 4% dhe liderit të opozitës Edi Rama, i kontaktuar dy herë më shumë me 8.8%.
Top Channel