Invalidët, apel për më shumë vëmendje

07/04/2011 17:30

Është vënë paksa në siklet kryeministri i vendit, kur një nga personat me aftësi të kufizuara i ka shprehur hapur se që prej pesë vitesh nuk ka mundur t’i shprehë atij shqetësimet e këtij komuniteti, qoftë dhe nëpërmjet numrit të telefonit të vënë në dispozicion nga kryeministri.

Kjo situatë erdhi menjëherë pas fjalës së kryeminsitrit, i cili kërkoi para përfaqësueve të OSBE-së dhe përfaqësuesve të Këshillit Britanik më shumë vëmendje nga organet vendore ndaj personave me aftësi të kufizuara për integrimin e tyre.

“Qeveria qendrore përcakton fondet, por asgjë nuk mund të zëvendësojë komunitetin, qeverinë vendore, kujdesin e saj për këta qytetarë. Ftoj forcat politike që kujdesin, interesin, kushtet për personat me aftësi të kufizuar ta shndërrojnë në përparësi”, deklaroi Berisha.

Kryeministri kërkoi reformimin e Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar me qëllim që të bëjë sa më mirë monitorimin, avokatinë dhe zbatimin e legjislacionit për aftësinë e kufizuar.

Prezenca e OSBE dhe Mbretëria e Bashkuar bëjnë thirrje për më shumë mbështetje për njerëzit me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha se në Shqipëri numërohen 1300 persona me aftësi të kufizuara, por që në fakt përbëjnë kategorinë më të lënë pas dore.

Ndërsa amabsadorja britanike u shpreh se Shqipëria duhet të hedhë hapa të sigurtë drejt fuqizimit të legjislacionit për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë takim u diskutua përvec përshtatshmërisë e punësimit edhe për marrëdhinet mes perosnave me aftësi të kufizuara me median.

Top Channel