Europa po humb betejën me “superbakteret”

07/04/2011 20:55

Infeksionet që kanë krijuar rezistencë ndaj antiobiotiqeve kanë arritur nivele të paprecedenta, duke dëmtuar ndjeshëm aftësinë e medikamenteve aktuale për të arritur suksese në luftën kundër tyre.

Sipas studimit të publikuar nga një revistë mjekësore, mbi 25 mijë persona vdesin çdo vit në vendet e Bashkimit Europian si rrjedhojë e infeksioneve bakteriale, disa prej të culave janë imunë edhe ndaj antibiotikëve më të fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pranoi se situata ka arritur një pikë me të vërtetë kritike, ndërsa nënvizon nevojën për të ndërmarrë një fushatë të re të përbashkët, në mënyrë që të prodhohen barna të reja.

”Pa një fushatë të re të përbashkët për të siguruar përparime të reja në mjekësi ndaj sëmundjeve bakteorologjike, njerëzit mund të përballen shumë shpejt me një skenar makthi, ndërsa do të verifikohet përhapja botërore e infeksioneve të patrajtueshme.

Me lëvizjen e lirë dhe të vrullshme të njerëzve, çdo vend në botë është edhe më i ekspozuar nga prekja prej viruseve dhe infeksioneve bakteorologjike.

Së fundmi, mbi disa britanikë që sapo ishin kthyer nga Nju Delhi, u gjetën gjurmë të “supermikrobit” NDM-1, i cili ishte bërë shkak për disa mijëra viktima në Indi e Pakistan.

Transmetimi i sëmundjeve nëpërmjet ajrit dhe ujit mbetet problemi kryesor, sidomos në vendet që nuk disponojnë një sistem të mirë sanitar.

”Antiobitikët janë një shpikje e vyer për njerëzimin, por nuk duhet të mendojmë se tani që i jemi nuk nevojitet të bëjmë asgjë tjetër. Supermikrobe po krijohen pasi edhe bakteret janë organizma të aftë të evolojnë e të përshtaten.

Edhe mjekimet që dekada më parë ishin shumë të suksesshëm, tashmë kanë më pak fuqi mbi sëmundjet. Zhvillimi i kërkimeve për të avancuar me barna të reja, gjithmonë e më të efektshme, është një kusht i domosdoshëm”, deklaroi Zsuzsanna Jakab, drejtore e OBSH-së për Europën.

Top Channel