ODHIR, presion për manipulimin e raportit

06/04/2011 15:20

ODIHR-i, një prej dy organizatave që do të certifikojnë zgjedhjet e 8 majit, është vënë nën presion për të formuluar, në mënyrë pozitive raportin përfundimtar për këto zgjedhje.

Agjencia e lajmeve “Balkan Insight”, duke cituar vëzhgues të ODIHR-it të cilit i ruan anonimatin, shkuan se presioni ka ardhur nga dy diplomatë perëndimorë të akredituar në Tiranë.

“Ata nuk duan që ne të raportojmë cfarë shikojmë”, citohet të ketë thënë vëzhguesi i ODIHR-it.

“Ky presion nga ambasadorët për ta ëmbëlsuar atë që do të shkruhet në raport, është argumentuar nga ata si i nevojshëm, me qëllim për të siguruar stabilitetin e vendit”, shkruan “Balkan Insight”.

Gjithashtu, vëzhguesi ka deklaruar se diplomatët perëndimorë në Tiranë besojnë se raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 2009-ës ishte shumë negativ, duke i dhënë mundësi opozitës socialiste të drejtën për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve.

Giuseppe Milazzo, zëdhënësi i ODHIR-it në Tiranë, i kontaktuar për këtë cështje nga Top-Channel dha këtë përgjigje:

“Nuk na është bërë absolutisht anjë lloj presioni nga ndonjë ambasadë, apo dikush tjetër në lidhje me raportin e monitoruesve apo në ndonjë aspakt tjetër të misionit. Duam të theksojmë përsëri paanshmërinë tonë. Për ne vetëm faktet e mbledhura gjatë zgjedhjeve janë themeli metodologjisë së punës”.

Pavarsisht nga garancitë për paanshmëri nga zëdhënësi Giuseppe Milazzo, deklarata e vëzhguesit të ODHIR-it për këtë presion hap edhe njëherë debatin për paanësinë e arbitrave ndërkombëtarë dhe rolin e tyre në certifikimin e zgjedhjeve të 8 majit, duke hedhur hije të forta dyshini në paanësinë e përpilimit të raportit përfundimtar.

Top Channel