KE: Kujdes me kartat e identitetit

06/04/2011 19:40

Komisioni Europian ka shfaqur pakënaqësi ndaj deklaratës së njëanshme të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu pas takimit të dytë të komitetit të MSA-së, duke plotësuar se, nëse manipulohet me kartat e identitetit, vendi rrezikon jo vetëm zgjedhjet por dhe regjimin e lirë pa viza.

Këtë përgjigje dha Natasha Butler, zëdhënëse e komisionerit Shtefan Fyle, kur u pyet nga TCH që të konfirmonte deklaratën e ministres shqiptare, e cila citon në thonjëza deklarata të Komisionit Europian, përfshirë këtu dhe mbi jodosmoshmërinë e pajisjes së qendrave të votimit me aparate verifikimi për kartat e identitetit dhe kjo për shkak të shpenzimeve të shumta që qeveria shqiptare ka bërë gjatë procesit për liberalizimin e vizave.

“Po, ne e kemi parë deklaratën për shtyp të postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimit dhe për sa i përket takimit të komitetit për MSA-në që u zhvillua dje, çështja e liberalizimit të vizave u diskutua dhe Komisioni lavdëroi autoritetet shqiptare për progresin e shënuar vitin e kaluar, gjë që çoi në vendimin e nëntorit për liberalizimin e vizave. Por Komisioni tregoi se është po aq e rëndësishme që masat në blloqet e ndryshme të udhërrëfyesit që çoi në liberalizimin e vizave të vazhdojnë të zbatohen. Kjo, sepse nëse do të kishte ndonjë problem që do të zbulohej më vonë në lidhje me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, kjo gjë nuk do të kishte pasoja vetëm për zgjedhjet lokale, të cilat zhvillohen në maj, por kjo do të ndikonte edhe në regjimin e lëvizjes pa viza. Pra, kjo është përgjigjia e parë ndaj pyetjes tuaj për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike”, ka deklaruar Butler.

“Në lidhje me zgjedhjet lokale, pala shqiptare bëri një numër të caktuar komentesh dhe Komisioni mirëkuptoi faktin që pajisja me aparate të tilla në të gjithë territorin e vendit për zgjedhjet lokale, e gjitha kjo vetëm një muaj para tyre, do të ishte e vështirë të arrihej. Ne disktuam edhe tema të tjera, por ne po shqyrtojmë përkthimin që na është bërë nga delegacioni ynë dhe nga zyrat tona në Tiranë të kësaj deklarate për shtyp dhe ne do të kërkojmë sqarime nga qeveria shqiptare mbi këtë deklaratë për shtyp që kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare”, ka pohuar ajo.

TCH: Për të kuptuar sa më mirë, a bini ju dakort me gjithcka thueht ne atë deklaratë për shtyp e veçanërisht në pjesën për aparaturat e verifikimit të kartave të identitetit? Dhe cili është qëndrimi juaj për këtë takim, pasi nuk pati asnjë komunikatë për shtyp, cfarë lejon që gjithëkush të mund të abuzojë?

Butler: “Përsa i përket deklaratës për shtyp, ne komunikojmë rregullisht me autoritetet shqiptare dhe e dini se do të shqyrtojmë shumë mirë këtë deklaratë për shtyp, sigurisht sepse ne ishim palë në atë takim dhe do të donim që ajo deklaratë për shtyp të jetë e plotë me konkluzionet që arritëm së bashku në fund të takimit. Nëse na kanë keqinterpretuar atëherë do të shohim se çfarë mund të bëjmë dhe do të kërkojmë sqarim ose korrigjim të deklaratës për shtyp.

Për sa i përket vlerësimit tonë të komitetit të MSA-së, ne diskutuam një seri të madhe çështjesh, e di që të gjithë janë të uritur prandaj po i bie shkurt. Në lidhje me zbatimin e MSA-së, e veçanërisht në lidhje me reduktimin e taksës së prodhimeve të importuara, ne i lavdëruam autoritetet shqiptare për këtë zbatim, por gjithësesi ne i treguam qartë autoriteteve shqiptare se Shqipëria duhet të punojë më shumë për të përmbushur detyrimet e saj në lidhje me pronën intelektuale, pasi në momentin që po flasim, afatet e paracaktuara kanë skaduar.

Në lidhje me çështjen e romëve, ne mirëpritëm përpjekjet e bëra për të zhvilluar politikat për përfshirjen e romëve, por në të njëjtën kohë ne vazhdojmë të përballemi me diskriminimin e romëve në Shqipëri me nivele të ulëta punësimi dhe pa mjete shkollimi dhe ne përsëritëm shqetësimin tonë për largimin me dhunë të 45 familjeve dhe se presim që autoritetet të vazhdojnë hetimet për atë ngjarje.

Në planin ekonomik, ne mirëpritëm përparimin në veçanti në reformën fiskale dhe politikën monetare, por në të njëjtën kohë, për sa i përket refomës strukturore ne treguam shumë qartë se nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të inkurajuar kështu investimet. Dhe, në lidhje me stabilitetin makro-ekonomik, Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të përmbysur tendencen në rritje të boxhit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Mendoj se kjo është gjithçka mund t’ju përgjigjem Arta”.

TCH: Ju folët për gjithçka, por jo për mediat e cështje të tjera të kriterit politik. A keni ndonjë qëndrim mbi këtë kriterin e parë dhe kryesor, i cili mori dhe pjesën më të madhe të diskutimit në këtë takim?

Butler: “Siç e dini, në këto takime që zhvillohen çdo vit ne diskutojmë tërësinë e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë, pra sigurisht që për situatën politike ne përsëritëm atë që komisioneri Shtefan Fyle tha në Tiranë javën e kaluar, në seminarin që u zhvillua me praninë e një numri të caktuar aktorësh kyç, si nga autoritetet, njësoj dhe nga parlamenti, përfshirë këtu dhe opozitën, që është e rëndësishme që klima e cila ishte e dukshme në seminar e gjithëpërfshirjes të çojë drejt një gjithpërfshirjeje më të madhe dhe më të qëndrueshme me përpjekjet e vazhdueshme si nga qeveria dhe nga opozita dhe se kjo do të mundësonte një marrëveshje politike për ngërçin aktual politik që kemi në Shqipëri. Pra, kjo u përsërit dhe ne shpresojmë shumë që autoritetet shqiptare do ta ndjekin këtë rekomandim”.

Një ditë më parë nga misioni i Shqipërisë në BE u njoftua se pas takimit nuk kishte deklaratë për media. Ministrja Bregu refuzoi kërkesën e TCH për intervistë por dha deklarata për disa media të tjera në vend, duke folur në emër të BE-së për konkluzionet e këtij takimi.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel