Basha, debat publik për Tiranën

06/04/2011 19:50

Kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha po përpiqet ta tërheqë kundërshtarin e tij Edi Rama në një debat publik për qytetin.

Ndryshe nga taktika e kandidatëve të mëparshëm demokratë, kandidati Basha i ka njohur kryebashkiakut Rama disa merita për punën e deritanishme, por i kërkon ballafaqim.

Në këtë forum për problemet e kryeqytetit, të organizuar nga një universitet privat, paneli përbëhet nga disa intelektualë të njohur, tre prej të cilëve janë në listën shumëemërore të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak, apo janë drejtues dhe funksionarë të rëndësishëm të institucioneve shtetërore, dhe aktivistë të shoqërisë civile.

“Lufta për të vërtetën dhe interesi publik. Dhe këto janë të pazëvendësueshme. Prandaj edhe diskursi i sotëm është i pazëvendësueshëm për cdo kandidat. Jam i bindur që i tillë është edhe për zotin Rama, edhe pse ai nuk është sot këtu, por jam i bindur që ai do ta ndjekë këtë. Unë e di se realiteti politik e ka llogorizuar diskursin publik. Duke marrë parasysh diskutimet e shprehura sot këtu, për të cilat gjej mirëkuptimin tuaj që nuk do të jem sot unë që do të jap përgjigje, por pres me kënaqësi ftesën dhe mundësinë herën tjetër që të angazhohem në një diskutim, në një debat me ju për propozimet që u ngritën. Ju siguroj se angazhimi im do të jetë vetëm dhe vetëm në frymën e kontributit, për shtrimin e rrugës së një Tirane e cila ecën me një plan afatgjatë zhvillimi dhe nuk zhvillohet me planin pa plan, sepse edhe plani pa plan është një plan, por është një plan që nuk i shërben kësaj konstituencë, nuk i shërben qytetarëve të Tiranës, por i shërben një grushti shumë të vogël njerëzish”, ka deklaruar Basha.

Deri më tani me kandidatin Basha kanë replikuar në distancë deputetë socialistë. Kurse kryebashkiaku Rama, në nivelin politik të shefit të opozitës, ka stigmatizuar direkt kryeministrin Berisha.

Kryebashkiaku Rama është ftuar të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të forumit, i cili në fund do të publikojë një broshurë me idetë e shprehura.

Top Channel