Tenderi Tiranë-Elbasan

05/04/2011 08:25

Shpallet zyrtarisht firma ndërtuese e tunelit të autostradës Tiranë-Elbasan.

Përmes Agjencisë së Prokurimit Publik, qeveria shqiptare me anë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka shpallur zyrtarisht fituesin për ndërtimin e tunelit, 4 km të gjatë, e cila do të jetë kompania greke “Aktor”.

Për ndërtimin e tunelit, Ministria e Transporteve kishte vendosur në dispozicion rreth 15.5 miliardë lekë, kurse kompania greke bëri një ofertë në shumën 8.3 miliardë lekë.

Faza e parë e tenderit ishte më 17 janar, ku rreth 25 kompani paraqitën interesin për të marrë pjesë në procesin e ndërtimit të tunelit, kurse më 3 mars, Drejtoria e Rrugëve përzgjodhi për në fazën e dytë 7 kompani.

Në këtë proces, kompania amerikane pretendente “Bechtel” tërhiqet nga gara, kurse nga oferta u duk qartë se “Aktor” kishte paraqitur “çmimin” më të lirë për realizimin e projektit.

Po në këtë datë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka shpallur fitues edhe kompanive supervizore të punimeve për ndërtimin e tunelit, e cila do të jetë “IRD Engineering”, për 230 milionë lekë.

Kompania greke është njohur për veprat e ndërtuara në vendin fqinj, siç janë urat në afërsi të Pireut. Siç duket edhe nga oferta për ndërtimin e tunelit të Kërrabës me një çmim më të ulët, gati 40 për qind, kriza në Greqi ka detyruar kompanitë e këtij shteti të ofrojnë realizimin e veprave me kosto të leverdishme.

Së fundi, qeveria miratoi marrëveshjen me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në total arrin shifrën e 407 milionë dollarëve.

Top Channel