Shpërthen Presidenti

05/04/2011 15:20

Presidenti i Republikës është vendosur sot mbi palët, në një fjalim të ashpër, që duket se shigjeton të dy krahët e politikës.

Ai përfitoi nga ceremonia e dekorimit të disa prej figurave që janë spikatur ditën e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, për të dhënë një mesazh për klasën politike.

Mesazhi ishte ilustruar me elementë të debatit aktual politik, si bllokimi i projekteve të ndryshme infrastrukturore, përdorimi i gjuhës së ulët, taksat apo ballafaqimi i drejtëpërdrejtë i programeve, për të bërë thirrje për një debat në funksion të qytetarit.

“Sinqerisht, jemi në momente shumë të rëndësishme, kur vërtet njeriu ndonjëherë ndihet i paorientuar, kur debatet e vogla, pa substancë, ngrihen dhe dominojnë të gjithë qenien tonë, të gjithë ambientin familjar, ambientin shoqëror. Unë do të dëshiroja që, edhe nga ky mjedis, të cilin ju siguroj që e vlerësoj shumë, duke ju njohur personalisht, duke qenë pothuajse i informuar për të gjitha linjat jetësore të gjithësecilit, dhe nga ky buron vlerësimi për ju, secili në pozicionin e tij, por, sikurse thashë të gjithë së bashku, për të rritur standardet e demokracisë! Është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve. Është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë. Por, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin. 8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor”, tha Topi.

“Partitë demokratike, sipas rregullit në demokraci, të futen në garë, të respektojnë rregullat, të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndjen që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që, ata që kanë marrë votën e qytetarit t’i shërbejnë qytetarit. Dhe ky shërbim nuk është falas, sepse qytetari është i mbushur me dhjetëra taksa. Pra, nuk është se politikanët na kanë në dorë jetën ne të gjithëve, si qytetarë. Jo, kanë detyrimin për ta administruar taksën, sepse kështu është rregulli i demokracisë. Secili jep taksat, pranon një administrim të caktuar, një vizion politik, dhe pastaj kërkon llogari. Pra, thirrja është vërtet e rëndësishme për të gjithë ata që sot marrin pjesë në një garë elektorale dhe aq më shumë për ata që do të zgjidhen, qoftë në krye të komunave, të bashkive, por sidomos nëpër këshillat bashkiakë. Sepse kemi qenë dëshmitarë se si këshillat bashkiakë, në mjaft raste janë bllokuar, për kapriçio, një telefonatë që vjen nga diku: ‘Shiko, mos merr pjesë ti atje’! Ndërkohë që bllokohen procedura, bllokohet zhvillimi i qytetit dhe pastaj rikthehemi. Dhe ndoshta ke të drejtë në këtë pikë, sepse sot Unaza e Tiranës është me vendimin e Kryeministrit të fundit të qeverisë komuniste, të Adil Çarçanit. Ke një të drejtë! Pra, që të mos hyjmë në situata të tilla, duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo, dhunë, por debat!”, theksoi Topi.

“Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore. Dhe projektet madhore i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëz me vizion. Prandaj, kjo është e arsyeshme që, edhe nisur nga predispozita të tilla, ne kemi nevojë që, edhe ju të jeni të pranishëm, pikërisht për t’i kërkuar politikës këtë. Edhe propozime të tjera, që janë shumë të arsyeshme, sikurse i paraqitëm. Gjithsesi, unë padashur që t’i jap një natyrë tjetër, por më shumë, i nxitur pozitivisht nga ato propozime, unë mora fjalën dhe në fakt, kjo fjalë shkon, në pjesën më të madhe për të vlerësuar të gjithë përkushtimin tuaj, karrierën tuaj, karrierën e njerëzve të thjeshtë, por që sot kanë lënë një emër të madh”, shtoi presidenti.

Top Channel