PS padit lëvizjen “Zgjohu”

05/04/2011 15:45

Partia Socialiste ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për krerët e lëvizjes “Zgjohu” me akuzën e përdorimit të burimeve financiare të dyshimta në një fushatë publicitare që siç tha deputeti Taulant Balla është e mbështetur në mashtrime dhe në gjuhën e urrejtjes ndaj opozitës.

“Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh prej muajsh me një organizatë  të ashtuquajturës së shoqërisë civile që ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma të pallogaritshme parash, në një fushatë me mashtrime publike dhe gjuhë urrejtje kundër PS dhe kundër opozitës së Shqipërisë. Ndërsa vetë drejtuesit e kësaj organizate nuk dinë dhe nuk japin shpjegime se nga burojnë këto shuma të pallogaritshme parash për të mbështetur këtë fushatë publicitare, që e përsërisë, me gjuhë urrejtje dhe mashtrime kundër opozitës”, është shprehur Balla.

“Vetëm në muajin shkurt kjo organizatë ka shpenzuar në fushatën publicitare kundër opozitës, 500 milionë lekë. 500 milion lekë të shpenzuara me spote publicitare, me gjuhë urrejtje, mashtrime kundër opozitës. Ku është KKRT? Ku është KQZ-ja? Të cilat nuk duhet të lejojnë një organizatë të tillë të përdori fonde, para për këtë fushatë jo ligjore publicitare. Kush është burimi i këtyre parave? Këto para nuk asnjë burim tjetër, përveçse burim kusarie, para të pista që po përdoren në një fushatë publicitare të pandershme. Prandaj sot në emër të Grupit Parlamentar të PS, unë dorëzova një kallëzim penal përkundrejt drejtuesve të kësaj organizate, të cilët duhet të japin llogari se nga burojnë këto para të pista, të cilat po sponsorizojnë një fushatë të pandershme publicitare, jo ligjore”, theksoi Balla.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi nga Prokuroria të zbardhë këtë skandal në të cilin janë të implikuar krerët e lëvizjes “Zgjohu”.

Top Channel