Kaja: Plagosja pas debatit me LSI-në

05/04/2011 15:30

Një ditë pas plagosjes, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, i shtruar në dhomën numër 5 në katin e tretë të Spitalit Ushtarak.

Ai tregon momentin se si i shpëtoi për mrekulli plumbave të dy personave të panjohur që qëlluan duke e plagosur me një plumb në këmbën e majtë.

“Si çdo ditë mora makinën dhe u nisa për në punë. Tek bulevardi i Ministrisë së Mbrojtjes dy persona me motor më qëlluan dhe më plagosën. Vura re vetëm momentin kur më qëlluan. Kur ata u afruan instiktivisht ktheva kokën dhe pash që po qëllonin drejt meje”, është shprehur Kaja.

Kaja spiegon se gjatë një viti pune në postin e kreut të Inspektoriatit të Ndërtimit, nuk ka pasur asnjë konflikt, por ai veçon të shtunën kur ka debatuar ashpër me militantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët nuk i ka lejuar të vendosin flamuj nëpër objekte të ndryshme në rrugët e kryeqytetit.

“Militantëve të një partie ju kërkuam që të hiqnin banderolat, nuk pranuan, më pas u konfliktuam me fjalë derisa erdhi policia. Në mbrëmje ndodhi një tjetër incident ku patëm dhe presione nga forcat e policisë”, deklaroi Kaja.

Kaja do të qendrojë për pak kohë nën kujdesjen e mjekëve, ndërkohë që në dhomën numër 5 të katit të tretë të Spitalit Ushtarak nuk reshtin vizitat e të afërmve, por dhe qytetarëve të tjerë të cilët kanë njohje me kreun e Inspektoriatit të Ndërtimit.

Top Channel