Euro, “dridhërima” në prag fushate

05/04/2011 08:00

Kur euro preku nivelin rekord të shitjes për 139 lekë, rreth një vit më parë, reagimet në ekonomi ishin të forta, ndërsa guvernatori u mundua të qetësonte opinionin me argumentin e “një ecurie normale”.

Pasi u mësuan me qëndrimin e euros në këtë nivel, kur dy vite më parë shitej për 123 lekë, në janar të 2011-s, shqiptarët u përballën me një tjetër rritje.

Euro kapi nivelin e rekordit historik të shtatë viteve të fundit, duke u shkëmbyer në treg për 140 lekë.

Sot që flasim, monedha unike e 15 vendeve të BE-së, në tregun vendas po shitet për 141 lekë dhe tendenca është për një shtrenjtim akoma e më të madh.

Ka nga ata ekspertë që deklarojnë se nuk çuditen me këtë sjellje, madje presin që euro të arrijë në 145 lekë.

Po çfarë po ndodh me valutën e huaj kryesore për vendin tonë, me të cilën kryen të paktën 70 për qind të tregtisë me jashtë?

Arsyet janë të shumtë dhe që lidhen pikësëpari me muajin mars që lamë pas, periudhë kur kompanitë e huaja deklarojnë bilancet bashkë me fitimet, të cilat konvertohen në euro dhe dalin jashtë vendit tonë.

Tjetër arsye janë shërbimet që paguan qeveria për borxhin, këstet e të cilit janë rritur për shkak të kursit të këmbimit dhe ku nevoja për financim rrit presionin për valutë.

Sa u takon emigrantëve, dërgesat e tyre nuk po japin më ndikimin e pritur në ekonomi për të zhbalancuar deficitin tregtar, dhe tashmë një tjetër rrezik po vjen nga udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit për shkak të heqjes së vizave.

Top Channel