Tiranë, atentat kreut të ndërtimores

04/04/2011 13:00

Dy persona të maskuar që udhëtonin me një motocikletë qëlluan me armë zjarri me silenciator kreun e inspektoriatit të ndërtimit në bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja. (UPDATE)

Atentati ndaj Kajës ndodhi rreth orës 9.30 në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në afërsi të Ministrisë së Bujqësisë.

Atentatorët kanë qëlluar disa herë brenda në automjetin e tij, por për fat të mirë plumbat e kanë kapur vetëm në këmbë, duke mos i rrezikuar jetën.

Në automjet ndodhej edhe shoferi i kreut të inspektoriatit ndërtimor, që ka shpëtuar fatmirësisht nga plumbat.

Atentatorët janë larguar me motocikletë nga vendi i ngjarjes, ndërsa Kaja i plagosur është nisur për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën.

Policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet dhe nga të dhënat e para duket se ndaj kreut të inspektoriatit ndërtimor të Tiranës është përdorur një pistoletë me silenciator.

Ardit Kaja një ditë më parë u vendos në qendër të vëmendjes për shkak të një konflikti me simpatizantë të LSI-së, rreth mesditës në orën 15.00, në afërsi të stadiumit Dinamo dhe më pas sërish në orët e vona të natës, ku u përfshinë edhe simpatizantë të Partisë Demokratike.

Pas vizitës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, kreu i bashkisë Edi Rama është shprehur se Kaja është një shërbëtor i shtetit dhe se u qëllua pikërisht se kreu detyrat e tij.

“Është qëlluar me plumba në mes të Tiranës një shërbëtor i shtetit, që në zbatim të ligjit është përballur me dhunën dhe harbutërinë e asaj force politike që me paratë e vjedhura ka dhunuar dhe ka ndotur qytetin tonë. Flamuj partish në shtyllat e ndricimit publik dhe pemë nuk shihen në asnjë qytet evropian”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Tiranë i ka bërë apel Policisë së Shtetit që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje, si dhe u ka kërkuar forcave politike të respektojnë ligjin për vendosjen e simboleve partiake.

“Goditja me plumb e një njeriu të bashkisë është një alarm për të gjithë. Nga kryeministri, tek ministri i Brendshëm e deri tek policia. Tirana nuk është e politikës, por e qytetarëve”, ka deklaruar Albana Dhimitri.

Ndërkohë që grupit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje i janë bashkangjitur përfaqësuesit e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, si edhe prokurorë të Tiranës.

Top Channel