Rama: U qëllua një shërbëtor i shtetit

04/04/2011 11:20

Kryetari i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka shprehur keqardhjen për atentatin ndaj kreut të Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, duke e lidhur këtë ngjarje me incidentin e djeshëm në kryeqytet me heqjen e flamujve të LSI-së.

“U qëllua një shërbëtor i shtetit i cili në zbatimim të ligjit është përballur me dhunën dhe harbutërinë e asaj force politike që me paratë e vjedhura që gjithë Shqipëria i pa në bllokun e turpit, ka dhunuar dhe ndotur qytetin tonë”, tha Rama pas daljes nga Spitali Ushtarak.

“Flamuj partish nëpër shtylla dhe pemë të qytetit, nuk shihen në asnjë qytet evropian dhe asnjë vend të botës së civilizuar dhe dua të nënvizojë se pavarësisht se PS nuk disponon mjetet e pallogaritshme financiare që ka pushteti i korrupsionit, ne jo vetëm që nuk kemi flamuj për të vendosur në shtylla e pemë, por asnjë poster nuk do të ngjisim jashtë vendeve të lejuara, sepse qytetin e duam të pastër dhe Shqipërinë e duam të pastër”, theksoi ai.

Heqja e flamujve të LSI-së nga shtyllat elektrike buzë rrugës, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, nga policia bashkiake ka hasur në rezistencën e drejtuesve dhe simpatizantëve të kësaj partie.

Në këtë operacion ka qenë prezent edhe kreu i Inspektoratit të Ndërtimit i cili u kishte kërkuar të gjitha forcave politike të respektojnë ligjet në fuqi, duke e deklaruar vendosjen e simboleve partiake në rrugë, si të jashtëligjshme.

Top Channel