Për një fëmijë mos prisni përtej 37 vjeç

04/04/2011 20:05

Ekzistojnë raste kur disa gra kanë fituar faqet e para të gazetave për faktin se kanë lindur fëmijë në të 50-tat e vona, por një studim spanjoll vërtetoi se të gjitha ato gra që presin përtej moshës 37-vjeçare rrezikojnë seriozisht të mos materjalizojnë ëndrrën e tyre.

Faktori kohë ndikon shumë më tepër në trupin e femrës se sa në atë të mashkullit, ndonëse në të dy rastet kulmi i aftësive riprodhuese shfaqet në moshën 20-25 vjeç.

Megjithatë, aftësitë riprodhuese mashkullore bien vazhdimisht deri në fundin e jetës, ai ka mundësi teorike të bëhet baba edhe në pleqërinë e thellë. Një grua, përfundon aftësitë e saj riprodhuese në moshën 45-50 vjeçare.

Ndërsa në moshën 30-vjeçare një grua mbetet ende mjaft aktive, kur ajo kap të 35-tat shfaqen probleme e para me aftësitë riprodhuese. Duke marrë parasysh disa mijëra raste dhe probleme të raportuara, një universitet mjekësor spanjoll arriti në përfundimin se planifikimi i një fëmije pas moshës 37-vjeçare është i rrezikshëm.

Ndonëse rezultatet variojnë nga femra në femër, pas kësaj moshe pothuajse të gjitha gratë kanë raportuar vështirësi për të mbetur shtatzanë, vështirësi në shtatzani apo thjesht nuk kanë mundur të konkretizojnë ëndrrën e tyre.

Top Channel