Në fillim të muajit mars hyri në fuqi vendimi i AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), për reduktimin e shkallëzuar të tarifave, deri në vitin 2014.
Duke nisur me marsin, mes kompanive, sipas “Shqip”, tarifat kanë pësuar ulje me të paktën 15 për qind, kurse në shtator parashikohet një tjetër reduktim, me 14.4 për qind, e kështu me radhë, derisa në shtator të vitit 2014, ulja arrin deri në 50 për qind. Këto ulje prekin “shumicën”, pra kostot që paguajnë shoqëritë për shërbimet e njëra-tjetrës ndaj thirrjeve dhe konsiderohet hapi i parë drejt përfitimit që mund të marrin konsumatorët (pakica).
Duke qenë se AKEP nuk ka të drejtë të ndërhyjë te çmimet në treg, mbi bazë të ligjit, bën rregullime të tarifave që paguajnë kompanitë te njëra-tjetra, dhe një ulje e tyre, nënkupton çmime më të lira për abonentët.
Neni 45 përcakton të drejtën e AKEP për të vendosur detyrime për kontrollin e tarifave bazuar në kosto dhe sistemet e mbajtjes së llogarive, duke lejuar një normë të arsyeshme fitimi për sipërmarrësin.
Sipas vendimit, në fillim të marsit, tarifat kanë pësuar ulje me 15 për qind vetëm për ato kompani që kanë pozicion të ndjeshëm në treg, kurse për EM u vendos një ulje më e moderuar, sikurse dhe për PLUS, për shkak të peshës së tyre.
Të katërta kompanitë do të kenë kostot të njëjtë thirrje me njëra-tjetrën vetëm në fund të vitit 2014, me 4.57 lekë për minutë. Pra, ulja nuk bëhet në nivel të njëjtë për të gjitha shoqëritë, por në mënyrë graduale deri kur të arrihet kufiri i vendosur.
“Meqenëse reduktimet e tarifave janë të ndjeshme për të katër operatorët aktualë në treg, AKEP gjykon se aplikimi i reduktimit të përshkallëzuar është mënyra e drejtë e zbatimit të orientimit në kosto”, thuhet në raportin e Entit Rregullator që shoqëron vendimin.
Sa u takon shoqërive në raport me konsumatorët, reagimi i tyre duhet të vijë pas vendimit të AKEP-it, dhe kur kanë kaluar një muaj nga hyrja në fuqi i planit të ri tarifor, tashmë reflektimi pritet të jetë i ndjeshëm, në leverdi të abonentëve.
Me shifrat e fundit nga raporti i AKEP-it mësohet se në vendin tonë numri i përdoruesve të celularëve ka arritur në rreth 4 milionë e 500 mijë, nivel ky tepër i lartë që po arrin parametrat e Bashkimit Europian. Referuar këtij raporti, norma e penetrimit (numri i përdoruesve për 100 banorë) është 140 për qind, e cila është 11 pikë përqindje më e lartë se në vitin 2009, si edhe më e madhe se niveli mesatar prej 122 për qind në vendet e Bashkimit Europian.
Më konkretisht, duke e krahasuar me vitin 2009, kemi rreth 9 për qind më shumë përdorues të telefonisë celulare, ose gati 350 mijë më tepër, që për AKEP konsiderohet shumë më e ulët se norma e rritjes me 41 për qind e shënuar në vitin 2009, në raport me 2008-n.
“Rënia e normës së rritjes dhe numri i lartë i përdoruesve për 100 banorë përbëjnë shenja se ky treg po i afrohet fazës së maturimit”, thuhet në raportin e AKEP-it që është miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Top Channel