
Është plagosur me armë zjarri kandidati i koalicionit “Aleanca e qytetarit’’ në Komunën e Balldrenit Zef Doçi.
Ngjarja në fjalë ndodhi shumë pranë shtëpisë së tij në fshatin Balldren të Lezhës. Doçi po udhëtonte me makinën e tij dhe sipas deklaratës së dhënë në spitalin e Lezhës për uniformat blu, ai është ndjekur nga dy makina të tjera, njëra para dhe tjetra pas.
Në një momet ai është qëlluar, por fatmirësisht plumbi e ka prekur në këmbë dhe nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Policia e Lezhës ka shkuar mënjëherë në vendin e ngjarjes por ende nuk ka një informacion zyrtar mbi shkaqet e kësaj plagosjeje ndërsa ka nisur hetime intensive për prangosjen e autorit.
Kandidati Doçi është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë mjekimin e duhur.
Kandidati Doçi garon në zgjedhjet lokale nën siglën e LDK-së dhe mbështetet edhe nga partitë e djathta. Kjo është ngjarja e dytë e kësaj natyre brenda 48 orëve të fundit pasi gjatë natës së të premtes është tentuar të vritet edhe kandidati për komunën e Dajtit Besim Kuka, edhe ky përfaqësues i koalicionit të djathtë.
Top Channel