Topi, mesazh për 2 prillin

02/04/2011 19:40

Në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 prillit në Shkodër, edhe presidenti Bamir Topi ka publikuar një mesazh në nderim të 4 dëshmorëve të demokracisë dhe gjithë qytetarëve shkodranë për qendresën e tyre antikomuniste.

Në mesazhin e tij me këtë rast presidenti thotë se “në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 Prillit në Shkodër, mendimi ynë shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste, studentit të dhjetorit Arben Broci dhe tre bijve të tjerë të Shkodrës Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj”.

“20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit. Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike”, thotë presidenti.

“Nderim dhe respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990”, deklaron ai.

Top Channel